Film & Tv

Aktorja e njohur sugjeron për të gjithë ju 5 filmat e saj të preferuar!

Këtë javë, në të mërkurën artistike “Live From The Cinema” ishte e ftuar aktorja e njohur, Adriana Tolka e cili na sugjeron pesë filmat e saj të preferuar:

The Bridges of Madison County (1995)

“Filmi flet për marrëdhënien jashtëmartesore mes një burri dhe një gruaje në Amerikën e viteve 60. Ai ishte një fotograf ndërsa gruaja një shtëpiake, ku kjo e fundit një ditë gjendet vetëm në shtëpi, pasi bashkëshorti dhe fëmijët e saj nuk janë. Gruaja e fton në shtëpi fotografin, fillon një miqësi dhe më pas kjo miqësi kthehet në dashuri. Ata njohin njëri tjetrin në thellësi. Ajo që qëndron në bazë të filmit është liria e individit. Të dy personazhet në film janë shumë fisnik. Sakrifica më e madhe qëndron në fund të filmit. Filmi ka një emocion dhe sinqeritet të thellë.”

The Piano (1993)

“Filmi bëhet fjalë për nga fundi i shekullit të 19. Në qendër është një grua skoceze që shitet në martesë tek një pasanik tokash nga i ati i saj në Zelandën e Re. Aty ajo krijon një marrëdhënie me një fqinj. Me të shoqin nuk arrinte të krijonte një marrëdhënie normale, me fqinjin arrinte t’i shprehte ndjenjat nëpërmjet lojës në piano. Piano është çelësi që krijon marrëdhënien mes dy personazheve, gruas dhe fqinjit. Filmi ka zhvillim dramatik por fundi i gjen personazhet bashkë.”

Hair (1979)

“Është muzikali i famshëm, zhaneri im i preferuar. Të gjitha performancat janë të shkëlqyera. Filmi shtrihet përgjatë periudhës së hipive dhe të luftës së Vietnamit. Më pëlqen zjarri i rinisë dhe më pëlqen se personazhet janë shumë shokë dhe kanë shumë dashuri për njëri tjetrin. Sakrifikohet për shokët ku në ditët e sotme nuk e gjen këtë sakrificë. Filmi është dramë/komedi dhe është një himn i dashurisë njerëzore, miqësisë së vërtet dhe i shpirtit të lirë që nuk njeh kufinj.”

Malena (2000)

“Së pari në këtë film mbetesh e shokuar nga bukuria e aktores Monica Bellucci. Është një film që kërkon lirinë e gruas, të individit. Një grua e cila në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, ku i shoqi shkon në luftë, arrin të përballojë të gjitha paragjykimet e fshatit ku jeton. Në fund të filmit ajo me qëndresën e saj arrin të triumfojë e të kthehet me burrin e saj.”

The Parasite (2019)

“Filmi më pëlqen sepse është një film që hyn thellë në psikologjinë njerëzore. Flet për diferencën klasore se si një familje e varfër arrin të depërtojë dhe të fitojë besimin e një familje të pasur. Duket sikur të varfërit parazitojnë në kurriz të të pasurve, por unë them që shkaktari kryesor që njerëzit nuk gjejnë zhvillimin janë njerëzit që janë pasuruar në mënyrë të padrejtë.”