Aktualitet

Akuzat e opozitës, kryediplomatja Xhaçka: Nuk kam shkelur asnjë ligj!

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka deklaroi sot në Kuvend se nuk ka shkelur asnjë ligj dhe nuk është në konflikt interesi, sa i përket pretendimit të dhënies së statusit investitor strategjik dhe dhënies në përdorim të brigjeve të detit në favor të familjarëve të saj.

U bë një kohë shumë e gjatë që kjo çështje ngrihet nga deputeti Shehaj, herë si deputet i PD-së së bashkuar, e herë si deputet i gjysmë PD-së ku bën sot pjesë, por nuk e kisha besuar kurrë që kjo furtunë e radhës në gotë do të arrinte një ditë të meritonte kaq shumë vëmendje.

Përgjigja e shkurtër është që jo, nuk kam shkelur asnjë ligj as unë, as bashkëshorti im, as qeveria, as kryeministri e askush! Nuk jam në konflikt interesi as unë e askush. Këtë e dinë mirë edhe kolegët e opozitës, edhe kolegu që i ka hipur kësaj furtune në gotë si ta kishte kalë beteje. Ose nëse nuk e dinë, do të bënin mirë të merrnin një jurist t’ua shpjegonte sepse është turp të jesh në këtë Parlament, të pretendosh që përfaqëson interesat e një pjese të elektoratit e të bësh oponencën e qeverisë, e të mos kuptosh as ligjet për të cilat flet.

Që unë nuk jam në konflikt interesi, këtë nuk e them vetëm unë sepse po ta thosha vetëm unë do të ishte fjala e deputetit Shehaj përballë fjalës time. Këtë e thotë ligji, e ka thënë Gjykata Kushtetuese, e ka thënë ILDKPI. Dhe një përfaqësues serioz i popullit e aq më shumë një parti në këtë Kuvend minimumi duhet të kishte bërë detyrat e shtëpisë përpara se t’ju merrte qytetarëve, por edhe kolegëve kohën e vëmendjen. Dhe për të bërë detyrat e shtëpisë do t’i mjaftonte të kërkonte në arkivat e partisë së tij, për raste të ngjashme kur të tjerë përpara tij kanë ngritur furtuna në gotë për të cilat ka folur Gjykata Kushtetuese, e cila në asnjë moment nuk i ka ndaluar familjarëve të deputetëve apo ministrave të merren me biznes.