Aktualitet Politikë

Akuzat për Arben Ahmetajn, Taulant Balla: Drejtësia të bëjë punën e saj!

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, sot paralajmëroi se do të dorëzojë një tjetër kallëzim në prokurori për financimet ruse të Partisë Demokratike. Kjo për aq kohë sa ende nuk ka një përgjigje nga organet e drejtësisë lidhur me këtë çështje. Gjithashtu, në një prononcim për mediat nga selia e Kuvendit të Shqipërisë, Balla iu përgjigj interesimit të gazetarëve mbi akuzat për përfshirjen e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj në çështjen e impianteve të mbetjeve.

Të lëmë drejtësinë të bëjë punën e saj. Pozicioni ynë për këtë çështje është në një material shumë të plotë që janë gjetjet e komisionit hetimor parlamentar. Ne nuk komentojmë çështje nën hetim. Kur ngrihet një akuzë, standardi është çoje për hetim!

Kyetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka denoncuar sërish çështjen e inceneratorëve duke bërë përgjegjës kryesor ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj. Sot në një konferencë për mediat, Berisha deklaroi se “me kartën e tij të kreditit, Klodian Zoto ka paguar të paktën pesë herë, udhëtimet në hotele me 5 yje të Ahmetajt në Europë”. Për kreun demokrat, nuk ka dyshime se “rolet kryesore në aferë i kanë Ahmetaj e Rama”. Sipas Berishës, “Arben Ahmetaj është personi, pa firmën e të cilit, nuk mund të merrte vlerë asnjë dokument i kësaj afere”.

Ndërkohë, Balla rikujtoi se ka një akuzë nga ana e PS-së prej disa vitesh për para’ ruse të hyra në llogaritë e PD-së.

Për fat të keq nuk ka një njoftim nga institucionet e drejtësisë që kjo çështje po hetohet. Eshtë e drejta ime të vazhdoj ta kërkoj. Ka pasur një kallëzim nga ana ime dhe nuk di ende se në cilën nga hallkat e procesit të drejtësisë është, por e vërteta është se paratë ruse kanë hyrë në PD dhe këtë nuk e them unë por e thonë dokumentet e CIA-s. PD ka bërë disa qëndrime që bien ndesh me interesat e Shqipërisë, por që kanë qenë me të njëjtën linjë me interesat e Rusisë. Nëse nga ana e drejtësisë nuk do të ketë një reagim do i dorëzojmë përsëri një kallëzim. Ky duhet të jetë standardi!