Aktualitet

Akuzat për korrupsion, KLP pezullon prokurorin e Sarandës, Sali Hasa!

Unanimisht, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP vendosi pezullimin nga detyra të prokurorit të Sarandës, Sali Hasa. Kjo pasi një ditë më parë, ndaj tij u dha masa e sigurisë “Arrest me burg”. Hasa u arrestua me kërkesë të SPAK-ut si i dyshuar “Për korrupsion” e “Grup të strukturuar kriminal”.  Pezullimi zgjat deri në rënien e shkakut për të cilin vendoset ky pezullim. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankimim në Gjykatën Administrative të Apelit.

Në gjykatë u përball me provat ku shfaqej i fotografuar me motrën e një të pandehuri që të pushohej procedimi penal ndaj këtij të fundit. Gjithashtu, përgjimet kanë zbuluar si trukoheshin ndeshjet e Kategorisë së Dytë për 150 euro.

Mes të arrestuarve janë edhe Napolon Hodaj, Oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë Sarandë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm”.

Bledar Hajredini, zyrtar i klubit sportiv SHS “Përmeti”, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Paracaktimi i rezultateve në garat sportive”, kryer në bashkëpunim.

Dyshohet se ata kanë përcaktuar rezultatin e ndeshjes Selenica-Përmeti, që përfundoi me rezultatin 1-0 për Përmetin, falë një penalltie. Nga përgjimet rezultoi se arbitri do të paguhej 150 euro.

Gjithashtu, në pranga ranë:

Julian Zera, i dyshuar për “Ushtrim ndikimi të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Emiljano Mirani, i dyshuar për “Ushtrim ndikimi të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim. Ky i fundit është vëllai i shtetases Elsona Papa, e cila në zyrën e prokurorit Hasa shoqëroi Edison Kurkutin për të firmosur deklaratën e heqjes dorë nga kallëzimi “Për plagosje me dashje”.

Ndërkaq u vendos “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” ndaj ekspertit mjeko-ligjor Hysen Koleci, pasi përpiloi raport mjekësor fals, në favor të pushimit të procedimit penal nga Hasa.

Ndër provat materiale të siguruara nga SPAK-u janë disa përgjime, pamje filmike dhe vëzhgime në terren të të dyshuarve për disa javë. Atyre iu sekuestruan telefonat celularë, iu krye kontroll banese ndërsa prokurorit Hasa iu sekuestrua edhe kompjuteri i zyrës.