Aktualitet Politikë

Akuzat për korrupsion me tenderat e energjisë, nesër PD bën kallëzim në SPAK!

Kryetari Lulzim Basha deklaroi sot në Kuvend se PD-ja do të bëjë kallëzim penal në SPAK, për korrupsionin në sektorin e energjisë.

Pak ditë më parë, tellalli i të keqes njohu shqiptarët me një krizë që do të godiste vendin, me pasoja të rënda për ekonominë dhe jetët e qytetarëve, të ngjashme me ato të tërmetit apo pandemisë. Por, pakkush e besoi. Në vijim të strategjisë së tij, nxorri një plan për të zgjidhur këtë krizë, ku ajo që ra menjëherë në sy ishte borxhi i ri me të cilin do të ngarkojë edhe më shumë qytetarët, edhe më shumë borxhin e lartë publik, një borxh prej 200 milion eurosh. Dhe kur u përmend kjo shifër e lartë që do të vendoset në dispozicion të OSHEE-së, si mëlçitë që i varen në qafë ujkut, të gjithë kuptuan se gjuha e Ramës shkoi aty ku i dhemb dhëmbi, te paratë që mungonin. Jo për shkak të qytetarëve, që kanë paguar dhe paguajnë qindarkë pas qindarke energjinë e shtrenjtuar, por për shkak të shpartallimit që korrupsioni dhe keqmenaxhimi kanë shkaktuar në sektorin e energjisë.

Basha tha se korrupsionin dhe papërgjegjshmërinë nuk duhet ta paguajnë qytetarët, por ata që abuzuan dhe abuzojnë me djersën e tyre.

Tendera luksi, kompani konsulence që mbushin xhepat në mënyrë korruptive, klientelizëm dhe punësime politike në administratat përkatëse të KESH-it dhe OSHEE-së, që përdorën politikën e tokës së djegur edhe për shkak të zgjedhjeve, ku paratë e dala nga këto institucione shërbyen për të kalçifikuar një pushtet të paligjshëm. Natyrisht të bëra bashkë me dritëshkurtësinë e menaxhimin skandaloz të eksporteve, fitimet e të cilave avulluan, edhe pse këmbanat e rritjes së çmimeve kishin rënë prej marsit, por atë kohë merreshin me fushatë, jo me planifikim. Duke shkurtuar në korrik dhe gusht rezervat ujore, në atë që ekspertët e cilësojnë si viti më i mirë historik, hapën një pjesë të madhe të gropës që do të mbyllet duke marrë borxh. Të gjitha këto shpërdorime, duhet të hetohen me përparësi, ndaj edhe ne do të depozitojmë nesër kallëzimin penal në SPAK.

Kreu i PD-së tha se “Shqipëria ka një borxh publik jashtë kontrollit, që ia lidh duart qeverisë për të vepruar në ndihmë të qytetarëve, pasi prioritete të saj ka oligarkët, me të cilën ndan pushtetin dhe buxhetin e shtetit”.