Bota

Akuzat për krime lufte, ushtari rus dënohet me burgim të përjetshëm nga gjykata ukrainase

Një gjykatë në Ukrainë ka dënuar me burgim të përjetshëm një komandant tankesh rus për vrasjen e një civili në gjyqin e parë të krimeve të luftës që nga pushtimi.

Ushtari i kapur Sgt Vadim Shishimarin u dënua për vrasjen e 62-vjeçarit Oleksandr Shelipov, në fshatin veri-lindor të Chupakhivka më 28 shkurt. Ai pranoi se kishte qëlluar z. Shelipov, por tha se kishte vepruar sipas urdhrave dhe i kërkoi falje vejushës së tij.

Ndërkohë shumë krime të tjera të dyshuara lufte po hetohen nga Ukraina.

Moska ka mohuar se trupat e saj kanë vënë në shënjestër civilët gjatë pushtimit, ndërsa Ukraina thotë se mund të kenë ndodhur më shumë se 11,000 krime.

Ky gjyq në kryeqytetin ukrainas Kiev po shihet si shansi i Ukrainës për të provuar, pa dyshim, se një ushtar rus vrau një civil pa marrë parasysh rregullat e luftës.

Më herët, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se lufta e Rusisë në shtetin e tij mund të zgjidhet vetëm përmes diplomacisë.

Duke folur për televizionin ukrainas, ai ka sugjeruar se shteti i tij mund të dalë fitimtar në fushëbetejë – mirëpo lufta mund të ndalet “në tavolinën negociuese”.

Ai i ka bërë këto deklarata teksa Rusia ka rritur përpjekjet për të marrë kontrollin e rajonit të Donbasit, i cili gjendet në lindje të Ukrainës, duke pretenduar fitore në betejën për fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol.

Forcat ruse kanë nisur edhe ofensivë ushtarake në provicën Luhansk.

Ndërkaq, ka shqetësime se rreth 20,000 njerëz kanë vdekur në qytetin e Mariupolit.

Rusia po ashtu ka nisur atë që duket se është sulm i madh për të marrë kontrollin e provincës Luhansk.

“Ushtria ruse ka nisur një fushatë intensive shkatërrimi në qytezën Sievierodonetsk, numri i bombardimeve është dyfishuar, ka granatime edhe nëpër ndërtesa banimi”, ka thënë guvernatori i Luhanskut, Serhiy Hayday në kanalin e tij në Telegram.

Në orët e para të 21 majit, sirenat ajrore janë dëgjuar në një pjesë të madhe të Ukrainës, duke përfshirë kryeqytetin Kiev dhe rajonin e Odesas në jug.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës ka thënë se i është kundërpërgjigjur ofensivës në Sievierodonetsk.

Për Rusinë ka qenë e rëndësishme marrja e kontrollit të Mariupolit, qytet me dalje në Detin Azov, për të krijuar një korridor tokësor me Gadishullin e Krimesë, të cilin Moska e ka aneksuar më 2014, si dhe për t’iu mundësuar trupave ushtarake kalim të lehtë në betejën për të kontrolluar rajonin e Donbasit.

Zelensky ka thënë se Rusia duhet të detyrohet që të paguajë për secilën shtëpi, shkollë, spital dhe biznes të shkatërruar.

Ai u ka bërë thirrje partnerëve të Ukrainës që të konfiskojnë fondet dhe pronën ruse nën juridiksionin e tyre dhe që ato para më pas t’i përdorin për të krijuar një fond për kompensimin e atyre që janë duke vuajtur.

Rusia “do të ndjente peshën e vërtetë të secilës raketë dhe bombë që ka nisur ndaj nesh”, ka thënë Zelensky përmes një video-adresimi.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar më 24 shkurt, atë që e quan “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur me sanksione të ashpra ndaj Rusisë, duke shënjestruar ekonominë e shtetit dhe oligarkët rusë.