Bota Rajoni

Akuzat për terrorizëm në Itali, pranga dy të rinjve me origjinë nga Kosova!

Një çift shqiptarësh me origjinë nga Kosova, ra në prangat e policisë italiane me akuzën se po përgatiteshin të kryenin një sulm terrorist në Itali. Sipas mediave në vendin fqinj, më 15 qershor, njësia speciale e karabinierëve italianë, (ROS) që heton terrorizmin dhe krimin e organizuar, me mbështetjen e Komandës rajonale të Trentos, ekzekutuan një urdhër-ndalimi ndaj dy të rinjve me origjinë shqiptare.
Ata ishin trajnuar për të kryer akte të dhunshme dhe po planifikonin të kryenin një sulm me mjete shpërthyese në Trentino të Italisë, në emër të organizatës terroriste ISIS.

Të dy personat rreth të njëzetave janë duke u hetuar për akuzat e komplotit me qëllim terrorizmi, përmbysje të rendit demokratik, regjistrim dhe trajnim për akte terroriste, përfshirë ato ndërkombëtare. Ndaj njërit prej tyre, gjykata italiane vendosi masën e arrestit në shtëpi, me detyrim mbajtjen e byzylykut elektronik, për t’i monitoruar vendndodhjen. Në zbatimin e kësaj mase, shpjegohet se vendimi u përcaktua nga nevoja për të garantuar një rrugë të deradikalizimi të të dyshuarit e ku familja e origjinës, e integruar plotësisht në strukturën shoqërore italiane, do të ketë rol thelbësor.

Nga veprimet hetimore rezultoi se dy të rinjtë, të lindur në Itali nga familje me origjinë kosovare, të integruar prej kohësh në kontekstin social, të punës dhe studimit, kanë ndërmarrë një rrugë radikalizimi të mundësuar nga propaganda xhihadiste në internet. Pas kryerjes së sulmit, të dy duhej të udhëtonin në Afrikë për t’iu bashkuar organizatës terroriste.

Gjatë operacionit u kryen disa kontrolle e që bënë të mundur sekuestrimin e pajisjeve kompjuterike dhe produkteve kimike që do përdoreshin për prodhimin e mjeteve shpërthyese.

Që nga koha e shpërthimit të konfliktit të armatosur në vitin 2011, më shumë se 350 shtetas kosovarë udhëtuan drejt Sirisë e Irakut. Në grupin e kosovarëve që udhëtuan për në Siri, përveç burrave, kishte gra e fëmijë. Deri tani, nga Siria në Kosovë janë kthyer më shumë se 250 kosovarë. Kosova u bë një ndër vendet e para në botë që riatdhesoi në mënyrë të organizuar qytetarë të saj nga kampet e Sirisë.