Rajoni

Akuzohet për krime lufte, Veseli lë Hagën; fluturon drejt Kosovës

Kadri Veseli ndodhet në Kosovë. Mësohet se ish kryetari i Kuvendit të Kosovës ka vizituar familjen e tij tri ditë pas vdekjes së nënës, si pasojë e një sëmundje të rëndë. Vizita është lejuar nga Dhomat e Specializuara të Hagës, ku Veseli po gjykohet për krime lufte së bashku me ish presidentin Hashim Thaçi dhe të tjerë ish zyrtarë të lartë të shtetit të Kosovës.

Ishte data 5 nëntor e vitit 2020 kur ish presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ish kryetari i Parlamentit Kadri Veseli dhe ish deputeti Rexhep Selimi u transferuan për në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Pas konfirmimit të aktakuzave ndaj tre ish-liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ata u paraqitën në selinë qendrore të EULEX-it, në Prishtinë.

Nisja e eskortës, në të cilën gjendeshin të tre liderët politikë kosovarë, u bë asokohe nga selia e EULEX, ndërsa aeroplani që i dërgoi për në Hagë nga aeroporti ushtarak i KFOR, lëshoi tokën e Kosovës pasdite.

Thaçi, Veseli, Selimi dhe ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi u arrestuan nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë për rreth 100 akuza për krime lufte.

Mëngjesin e 4 nëntorit ishte arrestuar edhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, nga Specialja.

Pas përfundimit të operacionit ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u arrestua dhe u bë e ditur se iu është konfirmuar aktakuza për krime të luftës.

Më vonë ai u nis drejt Hagës.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ishte konfirmuar më 26 tetor 2020.