Aktualitet Rajoni

Alarm i kuq për motin në Ballkan!

Në vendin tonë, temperaturat e larta do të vijojnë të jenë prezente edhe gjatë të shtunës, duke bërë që të regjistrohen disa gradë mbi vlerat normale, në orët e mesditës. Moti do të jetë nën ndikimin e kthjellimeve, edhe pse sipas shërbimit MeteoAlb, në pjesën e dytë të ditës, parashikohen kalime vranësirash në zonat e ulëta e malore, por nuk sjellin shira. Temperaturat luhaten në vlerat ditore nga 17 deri në 40 gradë celcius.

Në Bosnje-Hercegovinë, Serbi dhe Kroaci, institutet Hidrometeorologjike kanë lëshuar një alarm të kuq të motit për sot, si rezultat i temperaturave të larta.

Në përputhje me rekomandimet e Organizatës Botërore Meteorologjike, popullata këshillohet të marrë masa paraprake në kushte të tilla atmosferike. Gjithashtu është e mundur të ndërhyhet në rutinat e përditshme, ndaj aktivitetet në natyrë duhet të ndërpriten!

Instituti Federal Hidrometeorologjik bëri të ditur se një paralajmërim i kuq është në fuqi në Bosnje-Hercegovinë për ditën e sotme, për shkak të paralajmërimit mbi temperaturat e larta. Sipas meteorologëve, ato luhaten në vlerat nga 34 deri në 41 gradë celsius. Në parashikimin e Institutit Federal Hidrometeorologjik thuhet:

Mot me diell në Bosnje-Hercegovinë. Pasdite ka shtim gradual të vranësirave. Temperatura më e lartë ditore nga 35 deri në 41 gradë, në jug deri në 42 gradë.

Edhe Instituti Republikan Hidrometeorologjik i Serbisë ka dhënë alarm të kuq për motin sot, në të gjithë vendin, po për shkak të temperaturave të larta dhe që do të jenë nga 37 deri në 41 gradë. Por, lajmi i mirë është se nesër ka një kthesë pozitive e termometri pritet të shënojë pesë gradë më pak në territorin serb, ku në zona të caktuara do të ketë reshje të dobëta shiu.

Temperatura jashtëzakonisht të larta nuk kursejnë as Kroacinë këtë fundjavë. Për këtë arsye është shpallur alarmi i kuq thuajse në të gjitha rajonet, çka tregon se vapa paraqet rrezik shumë të lartë. Instituti Hidrometeorologjik Shtetëror i Kroacisë paralajmëroi:

Priten temperatura jashtëzakonisht të larta. Mbroni veten, fëmijët dhe të moshuarit. Veproni sipas këshillave të dhëna nga autoritetet kompetente!

Për këtë të shtunë, alarmi i kuq i motit u lëshua në të gjitha rajonet kroate, përveç Osijekut e Gospiçit, për të cilat është në fuqi një alert portokalli. Ndërkohë, nesër me alarm të kuq janë rajonet e Kninit, Rijekës, Splitit e Dubrovnikut, po në Kroaci.