Rajoni

Alarm në Shkup, kërcënime për bomba në katër gjimnaze!

Katër shkolla të mesme në Shkup sot morën kërcënime me bomba përmes postave elektronike duke shkaktuar panik në mesin e nxënësve të cilët janë evakuuar nga organet kompetente. Ashtu si në rastet e tjera, njësia antiterror ka konstatuar se bëhet fjalë për kërcënime të rreme.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, tha se kërcënimet janë pjesë e një strategjie për sulme hibride, ndaj të cilave po ekspozohen edhe vendet e rajonit e më gjerë.

Në periudhën mes 26 tetorit dhe 3 nëntorit, 15 shkolla të mesme të Shkupit kanë marrë e-maile për vendosje të bombave në objektet e tyre, por që rezultuan “të rreme”. Kryeministri Kovaçevski tha se shpreson që autorët e këtyre kërcënimeve ta kuptojnë se Europa duhet të jetojë në paqe, jo në frikë dhe pasiguri.

Ajo që po ndodh është pjesë e asaj strategjie për sulme hibride. Të jemi të vetëdijshëm që Ministria e Punëve të Brendshme duhet të ndërhyjë kur ka kërcënime të tilla sepse bëhet fjalë për shkolla dhe jo rastësisht autorët e tyre synojnë shkollat sepse njerëzit janë më të ndjeshëm kur bëhet fjalë për shkollat. Në ato shkolla mësojnë fëmijët tanë. Shpresoj se ata që e bëjnë këtë do ta kuptojnë se Europa duhet të jetojë në paqe dhe jo në frikë e pasiguri.

Më herët, ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, pati deklaruar se nuk përjashtohet mundësia e atyre që i quajti “lojëra politike”, apo edhe e ndonjë sulmi kibernetik, siç ishte rasti me sulmin ndaj faqes së internetit të Ministrisë së Arsimit.

Por, organet e rendit ende nuk kanë arritur të zbulojnë adresën dhe vendin prej nga dërgohen e-mailet kërcënuese. Më 3 nëntor, policia maqedonase arrestoi një person të dyshuar si pjesë e një organizate konservatore, por Prokuroria e Shkupit e liroi, meqë nuk konstatoi asnjë lidhje mes tij dhe kërcënimeve me bomba.