Aktualitet Rajoni

Alarm për bombë në Universitetin e Prishtinës, policia rrethon ambjentet!

Pasditen e së martës, Rektorati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka marrë një kërcënim me bombë dhe më pas zyrtarët e këtij institucioni kanë lajmëruar policinë.

“Kemi pranuar një e-mail anonim që është vendosur një bombë dhe e kemi dërguar informacionin në polici dhe tani policia e kanë rrethuar vendin dhe janë duke e trajtuar rastin”, tha Rektori i UP-së Sahiti.

Kështu tha për Radion Evropa e Lirë, rektori i UP-së, Naser Sahiti.

“Rreth orës 16:00, është pranuar  informata për dyshimet që ndërlidhen me një shpërthim të mundshëm në Rektoratin e  Universitetit “Hasan Prishtina”  në Prishtinë. Informacionet e para flasin se kanosja e dyshimtë ka ardhur përmes postës elektronike.  Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar me situatën”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia tha se menjëherë pas pranimit të informacionit, ka evakuuar personelin nga ndërtesa e Rektoratit. Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, policia tha se po vazhdojnë kontrollet dhe verifikimi dhe më pas ky institucion do të ofrojë detaje të tjera për këtë rast.