Rajoni

Alarm për shpërthime në Prishtinë!

Policia e Kosovës konfirmoi se sot mori informacione mbi një alarm për shpërthime të mundshme në Shkollën e Mesme “Xhevdet Doda” në Prishtinë. Sinjalizimet shkuan përmes postës elektronike.

Zëdhënësi i policisë, Agron Borovci i tha Radios Evropa e Lirë se me të pranuar informacionet që paralajmëronin mundësinë e shpërthimeve, efektivët shkuan në vendin e ngjarjes dhe u vunë në lëvizje duke ndërmarrë veprime operative, të nevojshme për të menaxhuar situatën e sigurisë në zonë.

Policia bëri të ditur se caktoi një perimetër sigurie, si dhe evakuoi nxënësit e personelin e shkollës, ndërsa specialistët vijuan me verifikimet e rastit.

Një alarm për bombë po përmes postës elektronike, por që u regjistrua një ditë më parë, u raportua edhe në objektin e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Pasditen e djeshme, Rektorati lajmëroi policinë, pasi mori një e-mail anonim, ku thuhej se ishte vendosur bombë në këtë objekt. Më pas, Policia e Kosovës njoftoi nuk gjeti asnjë mjet shpërthyes në godinën e kontrolluar.