Celebrities Live From Tirana

Albatros Rexhaj: “Nga presioni i rrjeteve sociale jam detyruar të tradhëtoj veten…”

Sot në emisionin “Live from Tirana” për të folur rreth gjuhës shqipe, sesa kanë ndikuar rrjetet sociale në të, ishte i ftuar nëpërmjet një lidhjeje telefonike shkrimtari i njohur, Albatros Rexhaj i cili i pyetur se si e sheh këtë situatë, tha:

Të shprehurit e saktë në gjuhën shqipe nuk është problematikë vetëm në rrjetet sociale, ka marrë përmasa shqetësuese gjithandej vitet e fundit, gabimi mbulohet me gabim tjetër. Në media përdoret ‘kush’ për gjithçka. Kush-i i referohet frymorëve, jo makinave, gjërave të vdekura. Një shkrimtar thonte që nëse një prezantues del e bën një gabim kjo kopjohet edhe nga masa.

Rrjetet sociale janë pjesë e realitetit, janë bërë pjesë e qenies sonë sociale. Pa rrjetet sociale dilnim kudo ku komunikonim me njëri-tjetrin, tani nuk kemi nevojë ta bëjmë më këtë gjë. Kur hasim njerëz që nuk janë aktiv në rrjete sociale i shohim si tipa të çuditshëm. Unë kam filluar një tranzicion personal për ta gjetur veten në këtë realitet të ri. Ndonjëherë e kam të vështirë të shprehem shkurt.

Kam një bindje që artisti duhet të shkojë aty ku është lexuesi. Lexuesi sot është arrogant sepse kohën e vet e trajton si luks dhe shkrimtari duhet të jetë në mesin e tyre. Rrjetet sociale kanë presionin që duhet të shkruash shkurt. Rreziku qëndron që kur shkruan shkurt, improvizon dhe improvizimi është tradhëti ndaj vetes. Më ndodh shpesh që të shoh gjëra që i kam nxjerr dhe më pas dua t’i fshij. Në momentin kur e kam bërë publike një shkrim kam qenë nën presionin e pritshmërive të publikut. Kam shkruar 10-15 fjalë dhe më kanë thënë: ‘Ua të gjatë e ke shkruar’. Nuk ka njeri që nuk gabon qoftë në komunikim verbal ose në shkrim. Njerëzit tanë janë të këqinj, e bejnë mizën bull. Jemi njerëz edhe gabojmë. Eleganca e një njeriu qëndron në përpjekjen e vazhdueshme për të përmirësuar veten.