Rajoni

Albin Kurti i kënaqur me rezultatin e zgjedhjeve vendore në Kosovë!

Albin Kurti shprehet i kënaqur me rezultatin e zgjedhjeve të djeshme vendore, ndonëse kandidatët e partisë që drejton nuk siguruan fitore në asnjë komunë në raundin e parë dhe në të dytin shkojnë në balotazh në 12 komuna. Kryeministri i Kosovës, njëherazi kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet deklaroi:

Jemi të kënaqur me këtë që kemi arritur pasi edhe në nivel vendor, sa i përket zgjedhjeve lokale, Vetëvendosja u bë subjekti i parë.

Në një konferencë për media, Kurti iu referua votës së fituar në nivel vendi gjatë zgjedhjeve lokale të 17 tetorit. Ndërsa theksoi se partia e tij kurrë nuk ka qenë “më e fortë”, nisur nga fakti që Lëvizja Vetëvendosje është subjekt i parë si në nivel qendror ashtu edhe lokal, Albin Kurti u shpreh se megjithatë, zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale, nuk mund të krahasohen. Në votimet politike të 14 shkurtit 2021, Lëvizja Vetëvendosje doli e para, duke fituar mbi 50% të votave.

Sipas shefit të qeverisë, “Para qytetarëve, imazhi i Lëvizjes Vetëvendosje është më i fortë për çështjet kombëtare”. Ndërkaq, vuri në dukje se “në balotazh do të synojnë të fitojnë të gjitha komunat ku garojnë”, si dhe shprehu bindjen se në Prishtinë, kandidati Arben Vitia do të fitojë.

Unë shpresoj, por edhe besoj që Arben Vitia të jetë kryetar i Prishtinës e më 15 nëntor të marrë detyrën.

Sipas ligjeve në fuqi, balotazhi zhvillohet katër javë pas raundit të parë. Kurti tha se zgjedhjet ishin të lira, të drejta e demokratike dhe Kosova po bëhet shembull në rajon për zhvillimin e zgjedhjeve. Në zgjedhjet e 17 tetorit, pjesëmarrja ishte rreth 43%.