Rajoni

Albin Kurti i tha “PO” planit franko-gjerman, opozita e kritikon!

Në Kosovë, partitë opozitare konsiderojnë se kryeministri Albin Kurti nuk ka konsistencë në qëndrime dhe po e kritikojnë për mosinformim të deputetëve rreth planit të Bashkimit Europian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.  Dje, kryeministri tha se e pranon propozimin e njohur si plani franko-gjerman duke theksuar se “është bazë e mirë për diskutime të mëtejshme”. Por, deputetët opozitarë theksojnë se ky plan nuk ka kuptim dhe nuk duhet pranuar pasi nuk përfshin njohjen reciproke.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj:

Sa i përket pranimit të planit franko-gjerman për marrëveshje, mendoj që jemi në një terr informativ nga kryeministri i Kosovës sepse nuk dihet se çka ka pranuar, cilat janë pikat e kësaj marrëveshjeje, cilat janë obligimet ndaj Kosovës për këtë marrëveshje dhe a përfshihet Asociacioni që e ka kundërshtuar fuqishëm edhe në opozitë, por edhe si kryeministër? Dhe kjo të lë të kuptosh që kemi një ndryshim rrënjësor në politikën e qeverisë së Kosovës, personalisht të kryeministrit të Kosovës, zotit Kurti, sepse është mjaft labil në qëndrimet e veta kështu që ka krijuar huti edhe tek qytetarët e sidomos edhe tek deputetët, sepse nuk kemi pasur sqarim apo raportim të qeverisë në këtë rast kryeministrit dhe të thotë çka përmban ky plani franko-gjerman.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj:

Mendoj që nuk ka një konsistencë në qëndrimet e tij, ju e keni parë pak ditë më herët e pranoi në njëfarë mënyre çështjen e formimit të Asociacionit dhe tash po ashtu e pranoi planin franko-gjerman apo planin e Bashkimit Evropian. Realisht unë mendoj që plani franko-gjerman duhet të jetë një bazë për bisedime të mëtutjeshme sepse nuk ka kuptim nëse ky plan në përmbajtje nuk e ka edhe njohjen reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë, mendoj që as duhet të diskutohet për këtë punë.

Ju i dini deklarimet e zotit Kurti që çdo herë e ka përmend që në plan apo në marrëveshje duhet të jetë njohja në qendër dhe tani ta pranojë një plan të tillë që krijon një status quo dhjetë vjeçare, mendoj që atëherë duhet ta pyesni zotin Kurti. Por ne nuk kishim pranuar dhe jemi të bindur që nuk duhet të pranohet një plan që nuk është njohja në qendër.

Sipas Lidhjes Demokratike të Kosovës, vendit i duhet një marrëveshje përfundimtare që në thelb ka njohjen reciproke, si shtete të pavarura sovrane.

Çdo devijim nga ky orientim strategjik është përgjegjësi e pariparueshme e Qeverisë aktuale. LDK, po ashtu, kërkon raportim të kryeministrit në Kuvendin e Kosovës mbi procesin e dialogut. Injorimi i institucionit të përfaqësuesve të popullit nuk i jep legjitimitet asnjë procesi jetik për vendin.