Rajoni

Albin Kurti kundër nismës “Ballkani i Hapur”!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se nisma ‘Ballkani i Hapur’ më shumë i ngjan një ‘Ballkani të hapur për ndikimet nga lindja’, sesa një nismë për treg të përbashkët për vendet e rajonit.

Sipas Kurtit, kjo nismë ku bëjnë pjesë Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, duhet të shoqërohet edhe me ballafaqimin me të kaluarën te Serbisë, dhe të Presidentit Vuçiç.

Ai shtoi më tej se, Serbia ka shkaktuar katër luftëra në dekadën e fundit të shekullit 20.

“Nuk mund të them se jam i entuziazmuar me emërtimin ‘Ballkani i Hapur’, pasi që duke qenë aty kreu i Serbisë që nuk ballafaqohet me të kaluarën e shtetit të tij dhe të vetes së tij, ‘Ballkani i Hapur’ ngjan më shumë si Ballkan i hapur për ndikimet nga Lindja, sidomos nga Federata Ruse, por edhe nga Kina si dhe Ballkan i hapur për autokracinë, për korrupsionin, për kriminelët e luftës të cilët, siç e dimë të gjithë ne, vazhdojnë të jenë masivisht, jo vetëm të lirë në Serbi, por edhe jo pak prej tyre edhe në pushtet”, tha Kurti për mediat në Prishtinë.

Më 29 korrik, në Shkup u takuan kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Të tre liderët ftuan vendet e rajonit që t’i bashkohen nismës së “mini-Shengenit”, që mori emërtimin e ri “Ballkani i Hapur”, ndërsa në takim nuk mori pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.