Rajoni

Albin Kurti në Bratisllavë: Nuk dua të krijoj struktura paralele në veri!

Nga kryeqyteti i Sllovakisë, Bratisllavë ku po merr pjesë në Forumin e Sigurisë Globale, kryeministri Albin Kurti mbrojti veprimet e Policisë së Kosovës, që ndihmoi vendosjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, pavarësisht rezistencës së banorëve atje.

Policia jonë po bën punë profesionale, janë të trajnuar, i dinë të drejtat e njeriut dhe nuk ka shkelje nga ana e policisë sonë.

Kurti e përsëriti këtë qëndrim edhe pse po përballet me reagimin e ashpër të bashkësisë ndërkombëtare se vendosja me forcë e kryetarëve shqiptarë “është e papranueshme”.

Nëse duan protesta paqësore, me kërkesën për zgjedhje të parakohshme, ata e kanë një kryeministër që gjithë jetën ka qenë aktivist politik dhe është më shumë se i gatshëm t’i dëgjojë e ndoshta të pajtohet me ta.

Kryetarët e rinj shqiptarë të komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviç dolën nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit, të bojkotuara nga komuniteti serb. Albin Kurti shtoi se nuk mund t’i urdhërojë kryetarët e rinj shqiptarë të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës që të kalojnë në zyra të tjera, jashtë objekteve komunale.

Një gjë e tillë është kërkesë e protestuesve serbë që i kundërshtojnë kryetarët shqiptarë, por edhe e komunitetit ndërkombëtar, i cili thotë se ky veprim do t’i ulte tensionet.

Nëse tani do t’i urdhëroja kryetarët të kalonin në zyra të tjera do t’i binte sikur po angazhohem në krijmin e strukturave paralele ndaj strukturave paralele.

Kurti iu referua strukturave paralele serbe që veprojnë në veri të Kosovës që nga paslufta.

Unë nuk mund të ulem në zyrë si kryeministër dhe t’iu them kryetarëve në veri: ju nuk duhet të qëndroni në objektet e komunës! Unë e di se mund të qëndrojnë shumë më shkurt nga sa është mandati i tyre, ata janë teknikë, administrativë.

Amerika tha se qeveria shpërfilli këshillat e ndërkombëtarëve për të mos përdorur forcën në vendosjen e kryetarëve shqiptarë ndaj e përjashtoi Kosovën nga stërvitja Defender Europe, çka për Kurtin është “brengosëse”, por se nuk ndihet “i frikësuar”. Ai shtoi se po punojnë për të gjetur zgjidhje lidhur me këtë.