Rajoni

Albin Kurti: Në Bruksel u arrit dakordësi, jo marrëveshje!

Sot në Kuvend, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se “në Bruksel nuk pati marrëveshje, por dakordësi për targat”.

Nuk është marrëveshje për targat. Ne u morëm vesh t’i ndalojmë veprimet reciproke, pra ne nuk do të bëjmë gjobitje për targat KM dhe do t’i japim hapësirë negocimit të propozimit europian, që më herët quhej franko-gjerman.

Po ashtu, informoi deputetët se iu ofrua një dokument me 95 fjalë, brenda të cilit propozimi franko-gjerman apo propozimi europian për çështjen e marrëveshjes për normalizim, nuk ka qenë i përfshirë.

Por, tani situata është më ndryshe e është shumë mirë që gjithçka është përshpejtuar. Dakordimi i mbrëmshëm ka një target kryesor dhe kohor për negocim e pajtueshmërinë e palëve lidhur me propozimin e BE-së, të mbështetur nga Franca dhe Gjermania. Ajo është sa më shpejt dhe jo më vonë se fillimi i pranverës së vitit 2023.

Sipas kryeministrit, Kosova nuk ka pranuar asnjë referencë në një marrëveshje konkrete që të përfshihet në tekstin e akordit të mbrëmshëm.

Kur kam qenë unë gjatë bisedimeve, të hënën, insistimi më i madh ka qenë që në dakordimin, i cili bëhet deklaratë e Borellit, të jetë Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Ata e shohin Asociacionin si thelb të normalizimit, ne e shohim njohjen reciproke si thelb të normalizimit dhe është dallim i madh ndërmjet së hënës dhe së mërkurës.

Për formimin e Asociacionit është rënë dakord me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 ndërmjet Beogradit e Prishtinës, por Albin Kurti, beson se komunat nuk mund të organizohen sipas parimeve etnike.

Dakordimi i mbrëmshëm e vendos procesin e negocimit të planit europian në parimin ku Serbia dhe Kosova janë palë të barabarta. Një kornizë e tillë është avancim i fuqishëm në drejtim të faktit që propozimi do të jetë një marrëveshje ndërkombëtare, ligjërisht e detyrueshme dhe me njohjen reciproke në qendër.

Presidenti serb, Vuçiç tha sot në Beograd se marrëveshja e arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë për targa, është një fitore e vogël taktike që do t’i çojë në presion edhe më të madh.