Rajoni

Albin Kurti në takime me zyrtarë europianë në Bratisllavë/Veriu i Kosovës me tensione!

Ndërsa vazhdojnë tensionet në veri të Kosovës dhe serbët vijojnë të protestojnë kundër kryetarëve shqiptarë të komunave ku janë shumicë, Zveçan, Leposaviç e Zubin Potok, Albin Kurti po intensifikon takimet me zyrtarë europianë.

Kryeministri i Kosovës ndodhet në kryeqytetin e Sllovakisë, Bratisllavë ku po merr pjesë në ditën e fundit të Konferencës për Sigurinë Globale. Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu tha se në axhendën e Kurtit është dhe një takim me shefin e Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Josep Borrell e të dërguarin e Unionit për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Qëndrimi i tij do të jetë njëditor. Brenda ditës do të jetë në Kosovë.

Ish-kryetari i komunës së Zveçanit, Dragisha Milloviç iu tha gazetarëve se në mesin e protestuesve serbë atje “nuk ka struktura të organizuara, nuk ka banda të organizuara kriminale, pjesëtarë të të ashtuquajturit grupi Wagner apo të rinj që siç thotë Prishtina, duan të djegin çdo gjë që nuk është serbe”.

Këtu janë qytetarët e komunës sonë të Zveçanit e vëllezërit nga Mitrovica e Veriut.

Milloviç u shpreh pas akuzave të autoriteteve të Kosovës se “strukturat e organizuara kriminale”, të udhëhequra nga Beogradi zyrtar, janë përgjegjëse për trazirat në veri e që kulmuan dy ditë më parë me dhjetëra të lënduar nga përleshjet mes serbëve e forcave të KFOR-it. Nga radhët e paqeruajtësve të NATO-s u lënduan 30 ushtarë të kontigjenteve italiane e hungareze.

Milloviç deklaroi se këto protesta nuk janë kundër KFOR-it dhe se i vjen keq për atë që e quan “konflikt i imponuar” dhe “për atë që ndodhi”. Ai vuri në dukje se protesta po zhvillohet kundër “pushtimit brutal të objektit të Komunës së Zveçanit”.

A e ka ditur KFOR-i? A ka ndihmuar? Ne po kërkojmë përgjigje për këtë. Kërkesat e vetme janë që njësitet speciale të largohen dhe të ikin nga ndërtesa e Komunës së Zveçanit. Kryetarët shqiptarë janë të papranueshëm e jo të mirëpritur.