Rajoni

Albin Kurti: “Njohja reciproke, zgjidhje për rajonin!”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se më 5 korrik do të zhvillohet një takim përmbyllës i Procesit të Berlinit nën drejtimin e kancelares gjermane Angela Merkel e të shefes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.

Në këtë takim janë në rend dite katër marrëveshje që po negociohen edhe këto ditë ndaj duhet të jem i rezervuar për rezultatin përfundimtar!

Sipas Kurtit, “Nga Samiti i Sofjes është përcaktuar çështja e tregut të përbashkët në Ballkanin Perëndimor” dhe nuk mendon se Minishengeni apo ajo që e cilëson “Iniciativa e Novi Sadit” është diçka që mund të barazohet, ta plotësojë apo t’i shtohet Procesit të Berlinit.

Nisma të tilla mund të kthehen në pengesë për t’u bërë pjesë e familjes së Bashkimit Europian, si edhe për të pasur marrëdhëniet e duhura transatlantike, pasi disa shtete të Minishengenit Ballkanik përkrahin Federatën Ruse në vend të NATO-s.

Ajo që nuk duhet të bëjmë përkundrejt BE-së është t’iu ikim përgjegjësive tona me veprime që krijojnë konfuzion mes nesh dhe t’iu japim mundësi palëve të tjera t’i shfrytëzojnë. Kështu është edhe ideja e Novi Sadit për Minishengenin Ballkanik.

Eshtë nismë pa vizion për rajonin e si të tillë, Kosova e refuzon ashpër dhe i inkurajon të gjithë që të kthehemi në axhendën e BE-së dhe te marrëdhëniet transatlantike.

Pakënaqësia me bashkësinë europiane nuk duhet të instrumentalizohet nga vende që nuk e duan NATO-n apo mbështesin Federatën e Rusisë!

Shefi i qeverisë së Prishtinës kërkon që “theksi të jetë te togfjalëshi shumë i vlefshëm: njohja reciproke” që e vlerëson si zgjidhje jo vetëm për Kosovën e Serbinë, por gjithashtu për të gjithë rajonin.

Ndërkaq, Albin Kurti nuk e fshehu zhgënjimin për vendimin e Bashkimit Europian për të mos hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, çka e cilëson “mesazh dekurajues për rajonin”.