Rajoni

Albin Kurti nuk do të kandidojë në zgjedhjet e parakohshme në Kosovë!

Albin Kurtit nuk i lejohet të garojë në zgjedhjet e parakohshme në Kosovë. Lajmi sapo është konfirmuar nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve në Prishtinë. Sipas KQZ-së Këshilli Gyqësor i Kosovës konfirmoi se nga 28 subjekte politike, që kanë aplikuar për certifikim për zgjedhjet e 14 shkurtit, 15 prej tyre kanë kandidatë, të cilët nuk janë në përputhje me nenin 29 të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.

Në bazë të këtij ligji kandidat për deputet nuk mund të jetë një person, i cili është shpallur fajtor për një vepër penale në tre vitet e fundit, me vendim të formës së prerë. Albin Kurti është dënuar në vitin 2018 pasi u shpall fajtor për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, në protestat kundër krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe Demarkacionin me Malin e Zi.

Përveç liderit historik Albin Kurti kandidimi për deputet në zgjedhjet e 14 shkurtit u është mohuar edhe 4 personave të tjerë nga radhët e Vetvendosjes. Burime pranë KQZ-së konfirmojnë se certifikimi i është refuzuar edhe një kandidati nga PDK-ja dhe tre të LDK-së. Gjithashtu kandidimi për deputet nuk i është aprovuar as tre kandidatëve nga AAK-ja. Që të gjitha janë persona të dënuar me një vendim të formës së prerë të gjykatës në tre vitet e fundit.