Rajoni

Albin Kurti për Asociacionin: Marrëveshja e vetme që nuk e kaloi testin e Kushtetueses!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë se “marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe është e vetmja e nënshkruar në Bruksel që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese”. Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por qeveria Kurti shprehet kundër një asociacioni njëetnik.

Ka insistim nga faktorë të ndryshëm ndërkombëtarë që Asociacioni i komunave me shumicë serbe, ashtu siç është nënshkruar më 19 prill 2013, e më pas edhe i elaboruar në shtatë kapituj më 2015, të theksohet më shumë, por ajo marrëveshje është tashmë e theksuar, sepse është e vetmja marrëveshje, nga 33 marrëveshjet e Brukselit, që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese.

Kurti foli para gazetarëve edhe për propozimin e Bashkimit Europian lidhur  me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se duhet ta ketë njohjen reciproke në fokus.

Diplomacia fluturuese u është bashkëngjitur takimeve të nivelit të lartë për propozimin e Bashkimit Europian, të mbështetur nga Franca, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara. Ky propozim i ka pesë fjali në preambulë dhe 10 nene gjithsej.

Diplomacia “fluturuese” (shuttle) nënkupton takimet e shpeshta të diplomatëve të huaj, në përpjekje për të përafruar qëndrimet e palëve. Kurti përsëriti se propozimin europian që në publik njihet edhe si plani franko-gjerman, e konsideron bazë të mirë për diskutime dhe si “kornizë që na mundëson të ecim përpara”.

Lidhur me dialogun, mbrëmë takoi të dërguarin e Bashkimit Europian për dialogun, Mirosllav Lajçak për të diskutuar hapat e ardhshëm.

Çështje e të drejtave të pakicave, çështja e marrëveshjeve të mëhershme në Bruksel, është përbrenda këtij propozimi të BE-së. Nuk mund ta nxjerrësh qerren para kalit, së pari kali pastaj qerrja. Pra, nuk mund të përzgjedhësh një nen të caktuar, me një interpretim të njëanshëm, dhe ta sjellësh para propozimit. Unë jam i gatshëm të shkoj në Bruksel dhe ta diskutojë propozimin.