Rajoni

Albin Kurti refuzon vendimin e KQZ-së

Albin Kurti refuzon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që i ndaloi kandidimin për deputet në votimet e 14 shkurtit në Kosovë, por kjo nuk e shqetëson. Kryetari i Vetëvendosjes tha sot se partia që drejton e dorëzoi listën ku ai bën pjesë ndërsa shmangu komentet e mëtejshme. “Me entuziasëm presim pjesëmarrje masive në votime”, – deklaroi Kurti.

Por gjithçka mbetet të shihet pasi emri i tij është në mesin e 47 kandidatëve që sipas Këshillit Gjyqësor të Kosovës kanë dënim të formës së prerë në tre vitet e fundit. Për këtë arsye, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk e ka të drejtën e kandidimit.

Po në Kosovë, Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka tha se akuzat e partive politike ndaj saj dhe institucionit që drejton, synojnë të pamundësojnë zbatimin e Kushtetutës e ligjeve në fuqi. Daka denoncoi faktin që po përballet me kërcënime por nuk iu përgjigj pyetjes së gazetarëve se nga kush.