Aktualitet

Alda Klosi lihet në burg, Gjykata e Tiranës dha masën e sigurisë!

Alda Klosi lihet në burg. Gjykata e Tiranës sot vendosi masën e sigurisë “Arrest me burg” për ish-drejtoreshën e Ministrisë së Financave në kohën kur e drejtonte Arben Ahmetaj. Zyrtarja dyshohet për pastrim parash e deklarime të rreme para grupit hetimor. Ndërkohë, 41-vjeçarja vazhdon e shtruar në mjediset e QSUT-së për shkak të problemeve shëndetësore, të lidhura me tensionin e lartë.

Gjyqtarët i morën gjeneralitetet dhe pëlqimin që ajo të përfaqësohet në gjykatë nga avokati. Prokuroria kishte kërkuar “Arrest me burg”. Gjithçka ndryshoi kur fundjavën e kaluar, ish-pastruesja e saj Rozeta Dobi, e arrestuar me të birin se i grabiti mijëra euro Klosit ndryshoi rrëfimin dhe tha se gjithçka ishte inskenim me kërkesë të Aldës që të fajësonte ish-bashkëshortin që e kërcënonte. Madje, shtoi se po Alda Klosit i përkasin edhe 400 mijë eurot e fshehura në banesën e familjes Dobi.

Kam vendosur të bashkëpunoj me policinë. Nuk dua të mbrohem nga avokatët që më ka caktuar familja. Dua të më caktoni një avokat shteti. Kam filluar punë si pastruese në shtëpinë e Alda Klosit në vitin 2018. Shtëpinë në atë kohë e kishte te Mozaiku, aty ka pasur dhe një shtëpi tjetër. Në vitin 2018 kam konstatuar që në krevatin e saj të mbuluar me batanije kishte lekë dhe euro, shumë të mëdha.

I kam marrë dhe i kam sistemuar në sirtar dhe e kam telefonuar Aldën, i kam thënë që lekët i ke në sirtar. Alda Klosi kishte përveç kësaj një shtëpi në Kombinat, kishte porositur një shtëpi te Kodra e Diellit dhe kishte një shtëpi të ndërtuar në truallin e prindërve.

Shpesh, Alda lëvizte para’, unë nuk kam prekur gjë. Kur shkoi te apartamenti te “Rruga e Kosovarëve” që u nda nga bashkëshorti, ajo më kërkoi që t’i mbaja këto para’. Unë e kam marrë kasafortën, e kam çuar në shtëpinë time me makinën e djalit dhe i kam sistemuar disa nga lekët dhe bizhuteritë. Disa të tjera i kam vendosur te sirtari i dollapit tim për t’i sistemuar më vonë.

Makinat ia kam blerë unë djalit. Njëra ka kushtuar 3 milion lekë të vjetra. 25 700 euro të gjetura te komoja e krevatit, janë para’ të punës sime. Ndërkohë shtëpinë e bëra unë rrëmujë sepse Alda donte të fajësonte për paratë dhe bizhuteritë bashkëshortin, pasi ai e kërcënonte.