Aktualitet

Aleanca Për Lirinë e Mediave kërkon të mos krijohet Agjencia për Media dhe Informim!

Aleanca Për Lirinë e Mediave dhe Përgjigje të Shpejtë i kërkon Partisë Socialiste, të heqë menjëherë dorë nga planet për themelimin e Agjencisë për Media dhe Informim, që të mos ketë kontroll të plotë mbi informacionin publik në Shqipëri.

Po ashtu, i bëjmë thirrje Bashkimit Europian që menjëherë të angazhohet me Qeverinë shqiptare për të diskutuar këto shqetësime, si çështje me prioritet në bisedimet për anëtarësim.

Aleanca që përbëhet nga gjashtë organizata ndërkombëtare, të cilat merren me lirinë e mediave dhe të drejtat e gazetarëve në botë është krijuar në 2020-ën e financohet nga Komisioni Europian.

Sipas saj, planet për krijim të Agjencisë për Media dhe Informim në Shqipëri, të shpalosura në Kuvendin e Shqipërisë, më 18 shtator, mund të centralizojnë kontrollin mbi marrëdhëniet publike të Qeverisë, në një entitet të vetëm.

Sipas vendimit, zëdhënësit e ministrive e të departamenteve qeveritare do të ndalohen të flasin drejtpërdrejt me mediat dhe informacioni publik apo komentet duhet të miratohen nga Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë, i cili do të emërohet nga kryeministri dhe do të ketë pozitën e barabartë me atë të një ministri. Aty përmendet edhe se kushdo që mban pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm, mund të emërojë apo shkarkojë zëdhënësit në çdo ministri e t’u miratojë paraqitjet publike apo intervistat.

Organizatat që janë pjesë e Aleancës besojnë se ndonëse Qeveria u shpreh se duke financuar këtë Agjenci me buxhet shtetëror do ta rrisë transparencën, në fakt mund të ndodhë e kundërta.

Gazetarët në Shqipëri janë duke punuar aktualisht në kushte jashtëzakonisht të vështira për të pasur qasje në informacion nga burimet qeveritare. Qeveria komunikon me gazetarët përmes grupeve në platformën WhatsApp, në vend që të përdorë kanale zyrtare. Gazetarët që punojnë për media të pavarura diskriminohen vazhdimisht kur kërkojnë informacione nga ministrat. Gazetarëve që shihen si përfaqësues të ‘opozitës’ nuk u mundësohet akreditimi dhe u mohohet bërja e pyetjeve në konferenca për media.

Kryeministri Rama nuk organizon konferenca për media dhe varet nga stacioni i tij televiziv ERTV për të shpërndarë tone të deklaratave të tij për mediat. Intervistat jepen vetëm për gazetarë të caktuar, duke shërbyer si mburojë për kryeministrin dhe ministritë tjera që të mos përballen me pyetje sfiduese.