Live From Tirana Music

Aleksandër Gjoka zbërthen hitet e karrierës së tij që i duam fort edhe sot

Një ndër yjet e muzikës rrok në Shqipëri, një artist i urtë që shumë qetësisht ka sjellë vetëm hite muzikore gjatë karrierës së tij shumëvjeçare qëndroi sot përballë mikrofonit të Top Albania Radios. Siç e mësuat edhe nga titulli bëhet fjalë për Aleksandër Gjokën i cili ishte i ftuar i kësaj jave në të mërkurën artistike. Këngëtari i famshëm dhe shumë i dashur i publikut zbërtheu hitet e tij që na ngrohim zemrat dhe na japin energji në çdo kohë.

“Zemra e një gruaje” (1992)

“Faktikisht teksti është i mikut tim dhe kolegut tim Adhurim Demiri dhe në bazë të vargjeve të tij u bë kjo këngë. Kjo u prit mjaft mirë se ishin dhe fillimet e ’90-ës. U bë hit brenda 1 muaji.”

“Twist Again” (1993)

“E mora këngën nga një kompozitor italian dhe i futa frymën dhe elementet e mia por në të njejtën kohë Luan Zhegu më kishte premtuar një këngë tjetër.”

“Ditë Dimri” (1986)

“Shumë njerëz nuk e dinë por ‘Ditë Dimri’ dhe këngë të tjera janë bërë në vitin 1986, flasim për variantin bruto por janë kompozuar pas viteve ’90.”

“Ti nuk më tradhëton” ft. Alma Bektashi (1994)

“Kjo ka marrë çmimin e dytë në festivalin e RTSH-së. Dy zërat tanë u sugjeruan nga kompozitori italian Markelani, bëmë provë dhe përshtateshim shumë mirë me njëri-tjetrin.”

“Anija Plakë” (1995)

“Për mua kjo është një nga këngët më të veçanta mirëpo në atë kohë nuk u kuptua shumë. Adrian Hila më pati thënë se nuk qëllova në shenjë me këtë këngë por kur pas 2 muajsh u bë hit, shpërtheu ai erdhi më pas dhe më kërkoi ndjesë. I rezistoi kohës.”

“E Dua Dashurinë” (1999)

“Kënga nuk ka qenë pjesëmarrëse në asnjë festival por u bë super hit pasi publikova albumin. Është një këngë shumë e thjeshtë por shumë e bukur për dashurinë.”

“Kuturu” (2003)

“Pirro Çako e ka kompozuar dhe ma ka sugjeruar. Fillimisht kjo ka qenë kënga e tij por bashkë me Timo Fllokon ma sugjeruan. Unë e dëgjova dhe i thash të më linin 3 ditë kohë që unë ta bëja timen. U përzgjodh edhe si kënga e urimit të Top Medias dhe jam ndjerë shumë i vlerësuar.”

“Dashurisë së shkuar” (1998)

“Për tekstin nuk besoj se ka njeri që nuk e ka kuptuar këtë lloj ndjenje. Pavarisht se ata ishin ndarë ai e kujtonte me shumë nostalgji të dashurën e tij.”

“I njejti do të mbetem” ft. Renis Gjoka (2012)

“Edhe kjo këngë ka qenë në arkivë. Renisi ka qenë iniciatori, tha që kishte shumë dëshirë të bashkëpunonim pavarisht indiferencës time.”

“Jeta Ime” ft. Vëllezërit Korçarë (2016)

“Unë jua sugjerova vëllezërve madje doja t’ja dhuroja atyre. Shkuam në studio por ata nuk pranuan kënga ishte aq e bukur saqë vendosëm ta sillnim bashkë. Rryma që kisha krijuar ishte si urë lidhëse mes nesh.”