Sport

Algoritmi i zgjodhi, por gjuajtësit anglezë të penalltive të finales Euro 2020 dështuan!

Trajneri anglez, Gareth Southgate i përzgjodhi përmes algoritmit, 5 gjuajtësit e penalltive në finalen e 11 korrikut me Italinë, që në fund u shpall kampione e Europës në Futboll.

Lajmi jepet nga gazeta spanjolle “El Pais” që citon burime pranë Federatës Angleze. E të mos harrojmë se për futbollistët e përzgjedhur, Southgate u kritikua gjerësisht. “Përgjegjësia është e imja”, – shprehej Southgate kur mediat britanike i kërkonin informacione për listën.

I zgjodha mbi bazën e asaj që kemi bërë në stërvitje!

Por duket se e vërteta qëndron krejt ndryshe! Selektimi po del të jetë rezultat i analizës së hollësishme të të dhënave të përpunuara prej vitesh nga studiues të performancave.

Ekspertët e pajtuar nga Federata ndoqën një metodë të bazuar në modele matematikore të njohura si Big Data.

Pasi nisi koha shtesë në finalen me Italinë, Southgate mori mesazhin e analistëve sipas të cilëve, në pesëshen më të mirë të gjuajësve të penalltive duhej të përfshiheshin Sancho e Rashford, të cilët që të dy dështuan e nuk përmbushën pritshmëritë e algoritmit.

Madje edhe radha e tyre: Kane, Maguire, Rashford, Sancho e Saka gjithashtu u sugjerua nga algoritmi. Në 2019-ën, në një konferencë të organizuar nga Google Cloud, Southgate deklaronte se “penalltia nuk është çështje fati”.

Për ndikimin e inteligjencës artificiale në përgatitjen e penalltive, Southgate komentonte:

Kemi analizuar mijëra penallti e kemi ndryshuar kulturën. Për skuadrat që nuk shkonin mirë u detyruam t’i modernizojmë.