Aktualitet Politikë

Alibeaj i përgjigjet Berishës: Ata që janë në pazare të fshehta me Ramën, janë sot të njëjtët që hedhin baltë!

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj i përgjigjet akuzave të Sali Berishës, i cili në një deklaratë për mediat pak më parë tha se Alibeaj është bashkëpunëtor i Edi Ramës. Me anë të një postimi në “Twitter”, Alibeaj shkruan se asnjë deputet i grupit parlamentar të PD nuk është peng i kryeministrit Edi Rama dhe shpurës së tij.

“Asnjë formë e vjetëruar komunikimi nuk e fsheh dot dështimin në përballjen me të vërtetën dhe vullnetin e lirë të demokratëve. Pazaret e politikës së vjetër janë të vështira të çrrënjosen nga mendësitë e atyre që për 30 vjet mbajnë peng interesin e shqiptarëve.

Nuk janë deputetët e grupit parlamentar të PD peng i Edi Ramës dhe shpurës së tij. Ata që janë në pazare të dukshme dhe të fshehta me të, ata që ndër vite kanë dëshmuar mungesë koherence në qendrimet ndaj qeverisë Rama dhe partnerëve të saj, janë sot të njëjtët që hedhin baltë mbi çdokënd që mendon ndryshe. Respekti për interesin e qytetarëve dhe jo për hallin personal është treguesi”, shkruan Alibeaj.