Aktualitet Politikë

Alibeaj njofton deputetët: Së shpejti në tryezë për ‘Presidentin’!

Kreu i Grupit Parlametar të PD-së, Enkelejd Alibeaj u ul sot në tryezën e Konferencës së Kryetarëve, pa u dakordësuar me grupin e deputetëve më herët. Me anë të një reagimi, Alibeaj bëri një përmbledhje të gjithë asaj që ndodhi në këtë mbledhje, teksa tha se mbledhja e grupit për të diskutuar dhe marrë vendimin mbi ecurinë e këtij procesi dhe rolin e PD në zgjedhjen e Presidentit do të bëhet në ditët në vijim, por ende nuk ka një datë.

“Sot u zhvillua mbledhja e Konferencës së Kryetarëve për procesin e përzgjedhjes së Presidentit të Republikës. Me kërkesën e përfaqësueseve të PD në Konferencë, mbledhja u zhvillua në prezencë të medias, në funksion të transparencës së plotë për publikun. Për ti dhënë kohë një diskutimi të plotë dhe shterues mbi këtë çështje grupit parlamentar dhe për të diskutuar dhe marrë vendimet bashkarisht, kerkuam dhe u pranua që procedura zë shtyhet për në datën 16 maj. Gjatë ditëve në vijim, do të zhvillojmë mbledhjen e grupit për të diskutuar dhe marrë vendimin mbi ecurinë e këtij procesi dhe rolin e PD në zgjedhjen e Presidentit. Ju përshëndes”, shkruan Alibeaj.

Deputetja e PD, Jorida Tabaku, tha se mazhoranca nuk e ka legjitimitetin për ta zgjedhur e vetme Presidentin.

“2 ish deputetë pas hekurave dhe të tjerë në pikëpyetje kjo mazhorancë nuk e ka legjitimitetin për ta zgjedhur. Nuk po zgjedhim në përfaqësues të PS por një individ që do të ketë detyrën për të ruajtur Kushtetutën, integritetin, sovranitetin për 5 vitet e ardhshme”, tha ajo.

Ndërkaq, Grida Duma, është shprehur se me procesin e saj me zarfe të mbyllur, mazhoranca nisi një proces jo transparent. Sipas saj duhet që opozita të bëjë propozimet e para.

“Mazhoranca të thoshte që opozita të nisë ajo propozimet. Edhe ne mund të sjellim një propozim që nuk është politik dhe që përfaqëson unifikimin e shqiptarëve. Pastaj duhet të plotësonim kriteret. Kushtetuta i ka gjeneraliste për këtë shkak, që politika ta gjejë unifikimin të kriteret në bazë të situatës politike. Ju e keni bërë thirrjen më 29 prill pasi keni mbyllur procesin me zarfe, që nuk është një proces transparent dhe unifikues. Duhet të kishte qenë e udhës që të kalohej stafeta tek emrat e opozitës”, tha Duma.