Aktualitet Politikë

Alibeaj: “Nuk do të jemi nesër në votimin e presidentit!”/Balla: “Fyerje për zgjedhësit!”

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj deklaroi sot se “nesër nuk do të marrin pjesë në votimin për zgjedhjen e Presidentit të ri”.

Qëndrimi ynë është logjik, koherent. I kemi bërë të gjitha shërbimet ndaj Kushtetutës edhe shërbimet politike, kështu që nesër nuk ka asnjë sens që Partia Demokratike të marrë pjesë në procesin e votimit. Do të ishte një proces që thjesht dhe vetëm do të legjitimonte kapjen e një tjetër institucioni nga ana e maxhorancës, nga ana e Edi Ramës. Kështu nuk është një proces normal, të bësh sikur nuk ka ndodhur asgjë.

Ajo që unë kam thënë në fillim, u provua se Rama nuk kishte kurrsesi asnjë lloj synimi për t’u dhënë shqiptarëve atë çfarë shqiptarët meritojnë dhe Kushtetuta u ofron një president të të gjitha palëve, të gjithë qytetarëve, përfaqësues i unitetit, i veshur, i armatosur me imunitetin politik që do të duhet të ketë, që nesër të ushtrojë në mënyrë të qetë detyrën presidenciale.

Unë mendoj se procesi për zgjedhjen e Presidenti është proces që vetëm nga ne nuk u bojkotua. Jo, ishim ne që ofruam rregullat, procedura, madje shkuam deri te procesi i identifikimit të votave dhe në atë moment ju e patë shumë mirë se kush ishte qëndrimi i maxhorancës.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla reagoi pas kësaj deklarate të Enkelejd Alibeajt. Në një postim në rrjetet sociale, Taulant Balla shprehet se “bojkoti është shpërfillje e delegimit të përfaqësimit të zgjedhësve”.

Partia Demokratike i rikthehet bojkotit të Kuvendit?! “Të kërkosh suksesin nuk do të thotë të mos bësh gabime, por të mos bësh të njëjtin gabim për herë të dytë”, apo të tretë, – pat thënë George Bernard Shaw. Bojkoti nuk sjell kurrë ndonjë përfitim, ai është thjeshtë fyerje dhe shpërfillje e delegimit të sovranitetit të zgjedhësve.