Aktualitet Politikë

Alibeaj: Refuzova të njihem me detajet e dosjes së I.M!

Kryetari i grupit demokrat, Enkelejd Alibeaj, i cili mori ftesë nga kryeparlamentarja Nikolla për ta vënë në dijeni të materialeve të mbërritura nga Autoriteti i Dosjeve, tha se refuzoi të njihej me detajet e dosjes sekrete të politikanit me inicialet I.M.

Për mua si politikan dhe për PD-në si parti e themeluar mbi parimet e transparencës, standardet dhe jo emrat e përveçëm, janë të rëndësishme për funksionimin normal të demokracisë. I bëra me dije Kryetares së Kuvendit se qëndrimi i PD-së për çështjen e dosjeve ka qenë koherent dhe vijon të mbetet i pandryshuar. Shoqëria dhe shteti shqiptar ka nevojë uluritëse të dekomunistizohet.

Ne kemi qenë ata që kemi kërkuar përjashtimin e sigurimsave nga emërimet në reformën në drejtësi dhe ia kemi arritur.  PD jo vetëm ka kërkuar, por ka pregatitur dhe projektligjin për dekomunistizimin. Kemi depozituar projektligjin per kthimin e Spaçit dhe Tepelenës në muze kombëtarë. Kemi kërkuar sistematikisht deklasifikimin e dosjeve të sigurimit të shtetit, madje edhe 1 javë më parë në Kuvend, e do depozitojme iniciativën përkatëse për këtë qëllim.

PD ka inicuar dhe mbështetur çdo përpjekje ligjore, politike dhe të shoqërisë civile për transparencën e munguar për dosjet e diktaturës. Vetëm kështu makthet e shpirtrave të trazuar në komunizëm do të zhduken dhe psikoza e shantazhit do marrë fund. Fakt i hidhur mbetet që gjatë 30 viteve, klasa politike në Shqipëri ka qenë e paaftë t’ju ofrojë shqiptarëve të vërtetën e plotë të dosjeve të sigurimit të shtetit. Sikundër të njëjtët politikanë i kanë përdorur dosje të tilla për shantazhe të interesave të pushtetit personal.

PD e ka të qartë dhe të palëkundur qëndrimin e saj për çështjen e dosjeve dhe bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit. Transparenca e munguar është drejtësia e mohuar për ata mijëra shqiptarë që vuajtën gjatë diktaturës komuniste. Çdo iniciativë për hapjen e dosjeve, lustracionin apo dekomunistizimin, siç ne kemi kërkuar sistematikisht, do të ketë mbështetjen e plotë tonën.

Por këto iniciativa duhet të bëhen të plota, të sinqerta dhe ezauruese, dhe jo gjysmake në funksion të lojrave të vogla politike. PD u krijua si forcë antikomuniste dhe do të vijojë të përmbushë misionin e saj, rivendosjen në vend të dinjitetit të nëpërkëmbur dhe vlerave të mohuara gjatë diktaturës komuniste.