Aktualitet

Aludimet mediatike për Ilir Metën si bashkëpunëtor i ish-Sigurimit, reagon Tedi Blushi!

Pas aludimeve në media se është Ilir Meta, politikani i lartë për të cilin Autoriteti i Dosjeve dha inicialet I.M dhe bëri të ditur se ka qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit, reagon Tedi Blushi. Zëdhënësi i Metës në kohën kur ishte në krye të shtetit, thotë se gjithçka bëhet pas themelimit të Partisë së Lirisë ndërsa apelon që Autoriteti të publikojë çdo dosje e informacion të lidhur me ish-Sigurimin e Shtetit. Në një postim në Facebook shkruan:

Ha Ha Ha… Autoriteti i Dosjeve u kujtua t’i kërkojë Kuvendit të ndryshojë ligjin “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit”, një ditë pas themelimit të Partisë së Lirisë, se gjoja një politikan i nivelit të lartë I.M, figuron bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit dhe qenka përpjekur për t’u fshehur nga verifikimet dhe për këtë u dashka bërë një ligj i veçantë.

Mos e lodhni kot Kuvendin me këtë punë, se ka çështje të tjera më të rëndësishme për t’u marrë si aferën skandaloze të inceneratorëve apo Marrëveshjen e Detit me Greqinë (kujtoni letrën e fundit të Presidentit të Republikës për të gjithë deputetët).

Latë nam me patronazhistët e sotëm ju që paskeni merakun e “patronazhistëve” të komunizmit.

I bëjmë thirrje Autoritetit të Dosjeve të hapë që sot dhe të bëjë publike çdo dosje dhe informacion të sigurimit të shtetit dhe gjithçka tjetër, përfshirë edhe procesverbalet e organizatës së rinisë të asaj kohe!Jetojmë në kohën e “pavarësisë” së institucioneve, por edhe të TRANSPARENCËS, që nuk do të ndalet!

https://www.facebook.com/blushited/posts/10160057853652760