Aktualitet

Ndërsa thellohet skandali, edhe me targat, AMA thirrje mediave të mos publikojnë të dhënat personale!

Ndërsa vijon skandali me rrjedhjen e të dhënave personale të qytetarëve, që pak ditë më parë kulmoi me publikimin e listave të pagave të mijëra shqiptarëve tatim-pagues, kryetarja e Autoritetit të Mediave Audovizive, Armela Krasniqi, u ka nisur një shkresë të gjithë OSHMA-ve (Subjekte Audio dhe Audiovizive) që të mos publikojnë të dhënat personale të qytetarëve.

Marr shkas nga publikimi i bazës së të dhënave personale të qytetarëve shoqëruar me numrat e kartave të identitetit, pozicionet e punës, pagat etj, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, me shkresën nr. 2119 prot., datë 23.12.2021, administruar në Autoritetin e Mediave Audiovizive, AMA, me nr. 4068 prot., datë 23.12.2021, ka kërkuar marrjen e masave për ndalimin e transmetimit dhe përpunimit të paligjshëm të të dhënave personale.

Referuar parimeve themelore të veprimtarisë së mediave audiovizive, të parashikuara në dispozitat e ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, operatorët e shërbimit audioviziv gjatë veprimtarisë së tyre duhet të respektojnë dhe garantojnë të drejtën e ruajtjes së jetës private.
Në mënyrë më të detajuar, parimet, rregullat, kërkesat dhe praktikat në transmetimet audiovizive përcaktohen në Kodin e Transmetimit. Në pikën 3.6 të Seksionit 3 të këtij akti nënligjor, përcaktohet se: “OSHMA-të duhet të respektojnë legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave dhe direktivat e vendosura nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, të zbatueshme për përpunimin e të dhënave personale për qëllime gazetareske, letrare apo artistike.

Sa më sipër dhe në vijim të shkresës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, kërkojmë nga ana juaj respektimin e kërkesave të ligjit tonë organik dhe legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale si një e drejtë kushtetuese.

Ndërkaq, pas publikimit të pagave e të numrave të telefonit të qytetarëve në muajt janar e prill 2021, tashmë del një tjetër listë me të numrave të mbi 530 mijë targave të makinave.