Aktualitet

Ambasadori i BE-së Soreca lëshon sinjale pozitive për integrimin

Ambasadori i Misionit të BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca ka zhvilluar një takim me Sekretarin e Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Greqisë,  Themos Demiris.

Përmes një postimi në Twitter, Soreca ka ndarë detaje nga takimi ku sqaron se një ndër temat e diskutimin ka qenë progresi i kushteve për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Sipas Ambasadorit Soreca, Konferenca e Parë ndërqeveritare duhet të zhvillohet sa më parë.

“Kënaqësi që takova Ambasadorin Themos Demiris, Sekretar i Përgjithshëm i @GreeceMFA. Diskutuam mbi gjendjen e procesit të integrimit të Shqipërisë. Konferenca e Parë Ndërqeveritare duhet të mbahet sa më shpejt të jetë e mundur.
Është e rëndësishme që Shqipëria të mbajë fokusin në axhendën e reformave dhe të përgatitet për bisedimet e pranimit,” shkruan Soreca në Twitter.