Aktualitet Politikë

Ambasadorja Kim takohet me Bashën në ‘selinë blu’, jep mesazhe te forta për Berishën, konfliktin e brendshëm dhe të ardhmen e PD.

Pas përfundimit të takimit me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim, u ndal në një prononcim për mediat. Ajo theksoi se sapo ishte kthyer nga SHBA, ku kishte folur me shumë ambasadorë, dhe ku kishte informuar shefat e saj për zhvillimit në Shqipëri.

Mes të tjerash, ambasadorja Kim tha pas kthimit nga Uashingtoni, se ishte shumë e rëndësishme që të shkonte në PD, për të ndarë me kryetarin Basha atë që ka mësuar atje.

Unë sapo jam kthyer para pak orësh nga Uashingtoni, ku kam pasur mundësi të flasë me drejtues nga të gjitha agjencitë, përfshirë DASH, Shtëpinë e Bardhë. Kam pasur mundësi t’iu jap informacion shefave dhe kolegëve të mi për situatën në Shqipëri. Besoj që mendova se ishte tejet e rëndësishme që sapo të kthehesha të mund të vija në PD, për të ndarë me Lulzim Bashën atë që kam mësuar nga Uashingtoni. Ndava me kryetarin Basha faktin që Uashingtoni mbetet i angazhuar për të vazhduar dhe për të punuar më ngushtësisht me PD, tha ambasadorja Kim.

 

Pas takimit me kryedemokratin Lulzim Basha, ambasadorja Yuri Kim tha se SHBA do të vijojë mbështetjen e saj në luftën kundër korrupsionit. Duke iu referuar situatës së brendshme në Partinë Demokratike, diplomatja amerikane thotë se shpreson që demokratët të dalin më të fortë.

Demokracia përkufizohet nga të pasurit një parti të lirë, opozitare dhe të fortë. Gjithashtu e kuptojmë mirë që PD ndodhet në një situatë të vështirë, por shpresojmë që të dalë më e fortë dhe më e bashkuar dhe shpresojmë të kthehet më e fortë për të fituar zgjedhjet. Gjithashtu dëshiroj të konfirmoj që përsa i përket Uashingtonit, ne jemi serioz në luftën kundër korrupsionit, jemi të gfatshëm ta sulmojmë atë pavarësisht rankut dhe posteve.  tha Kim.

 

Me një mesazh të nënkuptuar, ambasadorja Kim iu drejtua dhe demokratëve që mbështesin ish-kryeministrin Sali Berisha, teksa deklaroi se Partia Demokratike nuk mund të ecë përpara, nëse njëra këmbë ka mbetur në të shkuarën, ndërsa shtoi prerë se “ata që synojnë të vendosin SHBA kundër popullit shqiptar, e kanë gabim”!

Kam parë disa raporte shqetësuese se ajo që ka ndodhur me përcaktimin për raste madhore të korrupsionit, ka qenë një sulm kundër stabilitetit të Shqipërisë. Në fakt është e gabuar dhe është ofenduese. Do i kujtoj të gjithëve se në fakt se në 6 maj 1920 kur e gjithë bota donte që Shqipëria të shuhej nga faqja e dheut, presidenti Willson nuk pranoi. I vetmi ndryshim nga ajo deklaratë, është se Shqipëria do të veprojë sovrane. Atyre të cilëve synojnë që të vendosin Shtetet e Bashkuara kundër popullit shqiptar, u them se e keni gabim. Populli shqiptar e di që ju e keni gabim. Pozita jonë ndaj sovranitetit dhe sa i përket PD nuk ka për të ndryshuar. Përpara ditëve, javëve e muajve, mbetet shumë punë për t’u bërë. Është vërtet thelbësore dhe e shkëlqyer që PD është rikthyer në Kuvend me forca të plota. Ka gjithashtu veprime që duhen ndërmarrë për t’u siguruar që do të kemi zgjedhje më të mira herën e ardhshme. Për të trajtuar të gjitha mangësitë që janë identifikuar në raportin e ODIHR. Ka gjithashtu punë që duhet bërë për sa i përket reformës territoriale dhe korrupsionit. Dhe e gjithë kjo kërkon që të ketë një PD të fortë dhe të bashkuar dhe të bëjë përpara, por nuk mund të bëhet përpara nëse njëra këmbë ka mbetur në të shkuarën. Dhe kështu si gjithmonë ne presim që të ecim përpara me Shqipërinë, me popullin, me PD, drejt të ardhmes. Le të ecim përpara, u shpreh ambasadorja Kim.