Bota

Amerika akuza Rusisë për sabotazh lidhur me Ukrainën!

Shtëpia e Bardhë akuzon Rusinë për dërgimin e sabotatorëve në lindje të Ukrainës, që të nxisin incidente e më pas, ato të shërbejnë si pretekst për pushtim, nëse nuk plotësohen kërkesat e Moskës për siguri.

Zëdhënësja Jen Psaki:

Inteligjenca amerikane sugjeron se Rusia ka pozicionuar një grup personash për të kryer një operacion të rremë në Ukrainë. Operativët janë të trajnuar për akte sabotazhi.

Komentet janë pjesë e një serie paralajmërimesh dhe kërcënimesh të zyrtarëve amerikanë drejt Rusisë. Deklaratat vijnë pas një jave negociatash të zhvilluara në Gjenevë, Bruksel e Vjenë, mes zyrtarëve amerikanë, europianë e rusë, të cilët kërkojnë riorganizim të plotë të strukturës së sigurisë në Europë.

Këto negociata u zhvilluan pasi Moska ka angazhuar rreth 100 mijë trupa pranë kufirit me Ukrainën, duke shtyrë zyrtarë perëndimorë të inteligjencës, të paralajmërojnë se “Rusia mund të kryejë një pushtim të ri të Ukrainës”.

Inteligjenca jonë tregon se aktorët rusë tashmë kanë nisur të fabrikojnë provokime ukrainase brenda shtetit dhe në rrjetet sociale, për të justifikuar një ndërhyrje ruse e për të përshkallëzuar situatën në Ukrainë. Ushtria ruse planifikon të nisë këto aktivitete disa javë para pushtimit ushtarak, që mund të fillojë tani apo në mesin e shkurtit.

Në Moskë, deklaratat u pritën ftohtë. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov:

Deri tani, të gjitha këto deklarata kanë qenë pabazë e nuk janë konfirmuar.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e Perëndimit japin alarmin për pozicionim të trupave ruse pranë Ukrainës, Rusia kërkon garanci me shkrim se NATO nuk do të pranojë vendet e ish-Bashkimit Sovjetik, si Ukrainën e Gjeorgjinë. Uashingtoni dhe aleatët e NATO-s kanë zhvilluar tre raunde bisedimesh me Rusinë, me qëllim stabilizimin e situatës, ndonëse e kanë bërë të qartë se “politika e Aleancës Veri-Atlantike për dyer të hapura, nuk është e panegociueshme”.

Moska, e cila hedh poshtë mundësinë e pushtimit të Ukrainës, tha se “nuk do të presë pafund për një përgjigje të shkruar nga Perëndimi për siguritë që ka kërkuar”. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov:

Na ka humbur durimi!