Bota

Amerika akuza Rusisë për shkelje të traktatit të armëve bërthamore!

Amerika akuzon Moskën se ka shkelur traktatin e armëve bërthamore START, duke deklaruar se “po refuzon të lejojë aktivitete inspektimi brenda Rusisë”. Traktati që mbetet një nga shtyllat e fundit të përpjekjeve për kontrollin e armëve bërthamore të pas-Luftës së Ftohtë, hyri në fuqi në vitin 2011 dhe u rinovua më 2021-shin për dy vite të tjera.

Ai vendos kufi ndaj numrit të mbushjeve bërthamore strategjike që mund të dislokojnë Shtetet e Bashkuara e Rusia. Po ashtu për numrin e raketave tokësore e detare, si dhe të avionëve bombardues që mund të përdorin për këto mbushje bërthamore.

Të marra së bashku, dy vendet kanë rreth 90% të mbushjeve bërthamore të botës.

Uashingtoni është përpjekur ta ruajë vazhdimësinë e traktatit, por marrëdhëniet me Moskën janë në gjendjen më të keqe të dekadave të fundit, si rezultat i sulmit rus në Ukrainë, rreth një vit më parë. Shtetet e Bashkuara udhëheqin përpjekjet e aleatëve perëndimorë për të furnizuar me municione Ukrainën që ta ndihmojnë të zmbrapsë sulmin e forcave ruse.

Departamenti amerikan i Shtetit deklaroi:

Refuzimi nga Rusia për të lehtësuar aktivitetet e inspektimit ua mohon Shteteve të Bashkuara ushtrimin e të drejtave të rëndësishme të parashikuara në traktat e rrezikon zbatueshmërinë e kontrollit SHBA-Rusi për armët bërthamore.

Në gusht, Moska pezulloi bashkëpunimin me inspektimet siç parashikohet në traktat. Kremlini fajësoi kufizimet e udhëtimit të vendosura nga Uashingtoni dhe aleatët pasi Rusia sulmoi Ukrainën, por tha se ende është i angazhuar për të përmbushur kushtet e traktatit.

Departamenti amerikan i Shtetit u shpreh se “Rusia ka një opsion të qartë për të zbatuar traktatin duke lejuar vazhdimin e inspektimeve”. Në fillimjavë, Rusia njoftoi Shtetet e Bashkuara se traktati mund të marrë fund në vitin 2026 e nuk do të zëvendësohet nga një dokument i ri, duke pretenduar se Uashingtoni po përpiqet t’i shkaktojë Moskës “humbje strategjike” në Ukrainë.

Agjencisë shtetërore të lajmeve RIA, zëvendësministri i Jashtëm, Sergei Ryabkov i tha se “është vërtet i mundshëm skenari” që të mos ketë asnjë traktat për kontrollin e armëve pas vitit 2026.