Bota

Amerika do të dhurojë 500 milionë doza të vaksinës Pfizer!

Shtetet e Bashkuara planifikojnë të dhurojnë 500 milionë doza të vaksinës Pfizer. Sipas mediave amerikane, synohet që ato të dërgohen në rreth 100 shtete në dy vitet e ardhshme. Sot pritet njoftimi zyrtar nga Presidenti Joe Biden, para nisjes së samitit 3-ditor të shtatë vendeve më të industrializuara G7, ku pritet të diskutohet rimëkëmbja pas pandemisë.

G7 përbëhet nga Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara, plus Bashkimi Europian.

Njoftimi i shefit të Shtëpisë së Bardhë do të vijë në kohën kur vendet e zhvilluara përballen me presion për të shmangur dallimet e mëdha në vaksinim mes të pasurve e të varfërve. Sipas një drafti të siguruar nga Bloomberg News, liderët e G7-ës do të zotohen edhe për ndarje të 1 miliard dozave shtesë në vendet më pak të zhvilluara në vitin e ardhshëm.

Ndonëse Shtetet e Bashkuara dhe një pjesë e mirë e Europës po ecin me ritme të shpejta sa i përket vaksinimit anti-COVID, shumë shtete po përballen me vatra të reja të shpërthimit të koronavirusit e më pak akses në vaksina.

Donacionet amerikane pritet të ndahen përmes Programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i krijuar për të ndarë vaksina për vendet në zhvillim.
Administrata Biden ka bërë të ditur se deri në fund të muajit do të ndajë 80 milionë vaksina në gjithë botën. Presidentja Vjosa Osmani konfirmoi se edhe Kosova do të përfitojë nga ky donacion amerikan, ndonëse sasia e vaksinave nuk është bërë e ditur.