Bota

Amerika drejt dozës së tretë të vaksinave anti-COVID!

Kryeimunologu amerikan, Anthony Fauci bën të ditur se së shpejti, rregullatorët në Amerikë pritet të japin leje për dhënien e dozave përforcuese të vaksinës Pfizer&BioNTech kundër koronavirusit. Shpërndarja e tyre mund të fillojë këtë muaj, ndërsa për të Moderna-s, miratimi pritet të zgjasë pak më shumë.

Mendohet se dozat e treta janë të sigurta, edhe pse Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve vazhdon studimet për më shumë garanci.

Muajin e kaluar, studiues amerikanë arritën në përfundimin se me kalimin e kohës, bie mbrojtja nga vaksinat anti-COVID: Pfizer&BioNTech dhe Moderna.
Autoritetet rekomanduan që njerëzit të marrin dozën e tretë të Pfizer&BioNTech ose Moderna-s, 8 muaj pas të dytës e caktuan 20 shtatorin si datë që furnizuesit të fillojnë shpërndarjen.

Shkencëtarët ende janë duke debatuar se sa imunitet kundër koronavirusit sigurojnë dozat përforcuese e nëse të gjithë amerikanët duhet t’i marrin ato apo vetëm personat me imunitet të dobët e të moshuarit. Dozat përforcuese kanë shkaktuar polemika pasi koronavirusi vazhdon të vrasë njerëz të pavaksinuar në të gjithë botën.

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus vuri në dukje se punonjësit shëndetësorë në shumë vende, ende nuk janë vaksinuar as me të parën. Ndërkaq, shumë shtete të pasura kanë vështirësi në vaksinimin e mjaftueshëm për të shuar pandeminë, kjo edhe për shkak të refuzimeve e hezitimeve.

Aktualisht, Izraeli po ofron doza përforcuese për njerëzit mbi 50-vjeç.

Më 1 shtator, Franca u bë i pari vend i madh i Bashkimit Europian që nisi të japë doza përforcuese për njerëzit mbi 65-vjeç e me imunitet të dobët.

Në Itali, qeveria tha se nga fundi i shtatorit do të fillojë të ofrojë dozën e tretë për grupet e rrezikuara, siç janë ato me sistem të dobët imunitar.

Qipro do t’u japë dozën e tretë personave mbi 65-vjeç dhe personave në shtëpitë e kujdesit, vaksinimi i plotë i të cilëve është bërë para më shumë se 6 muajsh.

Autoritetet shëndetësore në Spanjë po shqyrtojnë veprime të ngjashme.

Disa ditë më parë, Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve deklaroi se të vaksinuarit plotësisht nuk kanë nevojë urgjente për dozën e tretë, por ajo duhet të merret parasysh për njerëzit me sistem të dobët imunitar.