Bota

Amerika e Britania tërheqin një pjesë të stafit nga ambasadat në Kiev!

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe njoftojnë largimin nga Ukraina të një pjese të stafit të ambasadave të tyre, një lëvizje që nga Kievi është cilësuar “e parakohshme”. Hapi vjen në kohën kur janë rritur shqetësimet pas grumbullimit të mijëra trupave ruse në kufi me Ukrainën. Por, Bashkimi Europian dha sinjale se nuk do të ndjekë menjëherë shembullin e Uashingtonit e të Londrës. Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell:

Ne nuk do të veprojmë njësoj sepse nuk kemi asnjë arsye specifike. Nuk mendoj se duhej ta dramatizonin përsa kohë që bisedimet po vazhdojnë.

Në deklaratën e Departamentit Amerikan të Shtetit u theksuan raportet e fundit që thonë se “Rusia po planifikon një aksion të rëndësishëm ushtarak ndaj Ukrainës”. Një zyrtar amerikan u shpreh:

Nuk po themi se e dimë se një pushtim do të ndodhë. Askush nga ne nuk e di se çfarë do të vendosë presidenti Putin. Në të njëjtën kohë që po marrim masa të kujdesshme, ne vazhdojmë të jemi shumë të angazhuar për zgjidhjen e situatës në rrugë diplomatike.

Britania tërheq disa diplomatë nga Ukraina

Pas njoftimit të SHBA-ve, Ministria e Jashtme britanike bëri të ditur sot se gjithashtu do të tërheqë një pjesë të stafit dhe familjarët e tyre nga ambasada në Ukrainë, në përgjigje të “kërcënimit në rritje nga Rusia”. Por, ambasadat e të dy shteteve do të qëndrojnë të hapura për të kryer “punë thelbësore”.

Ukraina kritikon SHBA-të

Ukraina kritikoi lëvizjen amerikane duke e quajtur si “të parakohshme”. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Oleh Nikolenko, përmes një deklarate nënvizoi se “është e rëndësishme, të ruhet qetësia”.

Ne konsiderojmë se një hap i tillë nga ana amerikane është i parakohshëm dhe paraqet një kujdes të tepruar. Federata Ruse aktualisht po bën përpjekje aktive për ta destabilizuar situatën e brendshme në Ukrainë. Dezinformatat dhe manipulimet po përhapen nga mediat për të mbjellë panik në mesin e ukrainasve dhe shtetasve të huaj. Në këtë situatë është e rëndësishme që të sillemi me maturi ndaj rreziqeve e të jemi të qetë.