Bota

Amerika ende pa marrëveshje për tavanin e borxhit, rrezikohen pagesat!

Presidenti amerikan, Joe Biden dhe liderët republikanë shprehën optimizëm të matur për pjesën nëse mund të arrihet një marrëveshje për të rritur tavanin e borxhit qeveritar. Kreu i republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy u tha gazetarëve se palët ende kanë dallime në qëndrime. Kjo bllokadë serioze e detyroi presidentin Biden që të shkurtojë një udhëtim jashtë vendit. Pa arritur një marrëveshje, Shtetet e Bashkuara të Amerikës rrezikojnë të përballen me një borxh në vlerë 31.4 trilion dollarësh nga data 1 qershor.

Dështimi i mundshëm i qeverisë amerikane për të paguar detyrimet e borxhit, rrezikon edhe një kaos global financiar. Një ditë më parë, shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se takimet disaorëshe në Zyrën Ovale ishin “të mira dhe produktive”.

Në takim morën pjesë zyrtarë të lartë demokratë, përfshirë zv.presidenten Kamala Harris, shefin e shumicës në Senat, Chuck Schumer dhe udhëheqësin e pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries.

Në këmbim të ofrimit të mbështetjes për rritje të tavanit të borxhit, liderët republikanë janë duke kërkuar shkurtime buxhetore. Ata po kërkojnë edhe ashpërsimin e kërkesave për përfituesit e ndihmës qeveritare.

Biden sot udhëton në Japoni, për të marrë pjesë në samitin e shtatë vendeve më të industrializuara, G7. Planet ishin që të shkonte edhe në Australi, por udhëtimi u anulua. Prekja e tavanit të borxhit nënkupton që qeveria amerikane nuk mund të huazojë më shumë para’.

Kjo do të thotë se qeveria nuk mund të paguajë më pagat e punonjësve federalë dhe atyre ushtarakë. Edhe pagesat për pensionistët rrezikojnë të ndalen po ashtu. Shpesh në të kaluarën, Kongresi Amerikan ka votuar për të rritur tavanin e borxhit.

Një mosmiratim i rritjes së tavanit, çka do të shënonte herën e parë, mund të shembë besimin në politikën amerikane dhe aftësinë e saj për të paguajë faturat. Ekspertët kanë paralajmëruar se ekonomia amerikane mund të përballet edhe me recesion e rritje të shkallës së papunësisë.