Bota

Amerika godet rrjetin e vjedhjes së kartave të kreditit, akuza ndaj një rusi!

Autoritetet amerikane ngrejnë akuza ndaj një shtetasi rus që drejton Try2Check, rrjet faqesh në internet që verifikon numrat e kartave të vjedhura të kreditit për kriminelët kibernetikë. Janë çaktivizuar katër faqet në internet të këtij rrjeti dhe Departamenti amerikan i Shtetit ofron një shpërblim prej 10 milion dollarësh për informacionin që mund të shërbejë për kapjen e Denis Gennadievich Kulkovit, ideator i rrjetit Try2Check. Mendohet se Kulkov gjendet në Samara të Rusisë.

Një juri e madhe bëri publike akuzat për mashtrime me aksesin në paisje, ndërhyrje në kompjutera e pastrim parash. Nëse shpallet fajtor mund të dënohet deri në 20 vjet burg.

Akuzat i njoftuan Breon Peace, prokurori për distriktin lindor të Nju Jorkut, dhe Patrick Freaney, drejtues i zyrës në Nju Jork, të Shërbimit Sekret të Shteteve të Bashkuara.

Sot është një ditë e keqe për kriminelët që mbështeten te platforma e të akuzuarit, si mjeti i tyre më i mirë për të verifikuar kartat e vjedhura të kreditit që u merren njerëzve që punojnë shumë në distriktin lindor të Nju Jorkut dhe që kanë vlerë në mbarë botën.

Kulkov themeloi rrjetin Try2Check në vitin 2005 dhe ngriti një shërbim jetik në internet për kriminelët kibernetikë që blejnë e shesin kartat e vjedhura të kreditit. Çdo vit, hakerat vjedhin miliona numra të kartave të kreditit duke ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në bankat e të dhënave dhe sistemet e pagesave. Në vazhdim i shesin numrat ndoshta me mijëra apo dhe miliona nëpërmjet platformave të shkëmbimit të mesazheve. Por, shumë nga numrat rezultojnë të kotë, pasi shumica çaktivizohen ndërkohë.

Për të filtruar numrat e kartave, kriminelët kibernetikë shfrytëzojnë faqet e internetit që verifikojnë kartat, siç është Try2Check. Këto shërbime u mundësojnë të verifikojnë autenticitetin e kartave të vjedhura të kreditit përpara se t’i nxjerrin në shitje.

Try2Check ishte ndër shërbimet më popullorë të këtij lloji dhe bënte dhjetëra miliona verifikime në vit nëpërmjet katër faqeve të tij të internetit. Përllogaritet se Kulkov ka fituar rreth 18 milion dollarë nga përqindjet.

Prej 10 vitesh, FBI-ja dhe Shërbimi Sekret Amerikan kishin filluar hetimet për Try2Check. Operacioni i goditjes së faqeve të internetit u koordinua me autoritetet në Austri dhe Gjermani. Mashtrimi me kartat e kreditit është një problem në rritje në mbarë botën.

Sipas “Nilson Report”, në nivel global, humbjet nga vjedhja e kartave të kreditit do të jenë mbi 397 miliardë dollarë gjatë 10 viteve në vazhdim, nga këto 165 miliardë dollarë në Shtetet e Bashkuara.