Bota

Amerika i thotë “JO” Polonisë për avionët në Ukrainë!

Shtetet e Bashkuara të Amerikës refuzuan një ofertë të Polonisë për të transferuar avionët luftarakë MiG-29, të prodhuar nga Rusia, në bazën amerikane në Gjermani. Kjo si mënyrë për të forcuar forcën ajrore të Ukrainës, teksa përballet me pushtimin rus.

Duke komentuar propozimin e Polonisë, zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, deklaroi:

Amerika ka synim të rrisë dërgesat e armëve në Ukrainë, por ideja e dërgimit të avionëve luftarakë nga territori i NATO-s në një zonë lufte, ngre shqetësime serioze për të gjithë Aleancën Veri-Atlantike.

NATO ka thënë se “nuk dëshiron konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë” dhe presidenti amerikan, Joe Biden po hedh poshtë mundësinë e dërgimit të trupave amerikane për të luftuar në Ukrainë.

Kirby shtoi:

Thjesht është e paqartë për ne, nëse ka arsye racionale për një gjë të tillë. Ne do të vazhdojmë të konsultohemi me Poloninë dhe aleatët e tjerë të NATO-s për këtë çështje e gjithashtu në lidhje me sfidat logjistike që mbart në vetëvete. Por, nuk besojmë se propozimi i Polonisë është i pranueshëm.

Një ditë më parë, Ministria e Jashtme e Polonisë, bëri të ditur se është e gatshme të dorëzojë avionët MiG-29 në bazën ajrore Ramstein në Gjermani dhe t’i vendosë në dispozicion të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Madje, Polonia iu bëri thirrje të tjera vendeve anëtare të Aleancës, të veprojnë në të njëjtën linjë. Në fillimjavë, ligjvënësit amerikanë i kërkuan administratës Biden që të ndihmojë për transferimin drejt Ukrainës të avionëve luftarakë të Polonisë, të vendeve të tjera të NATO-s, si edhe të Europës Lindore.

Kujtojmë se sulmi i Moskës ndaj Ukrainës nisi në orët e para të datës 24 shkurt kur presidenti rus, Vladimir Putin urdhëroi “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën. Rusia refuzon fjalën “pushtim” e ka udhëruar mediat vendase ta shmangin, në të kundërtën do të përballen me penalitete.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.  Shërbimet sekrete amerikane thonë se “Putin e ndjen se nuk mund t’i lejojë vetes të humbasë luftën”.

Mendojmë se nuk është e mundur që presidenti rus të ndalet nga pengesat e ngritura deri tani. Vladimir Putin mund të intensifikojë e dyfishojë përpjekjet për të arritur çarmatosjen e neutralitetin e Ukrainës, si dhe të mos lejojë një integrim të mëtejshëm të këtij vendi me Amerikën e NATO-n, nëse nuk ia del me negociata diplomatike.