Bota

Amerika i vendos sanksione shtesë Rusisë!

Administrata Biden ka zbatuar sanksione ndaj tetë anëtarëve të bordit të “Sberbank”, një prej bankave më të mëdha ruse e po ashtu, 27 anëtarëve të bordit drejtues të “Gazprombank”, si dhe ndaj tre kanaleve televizive që i përkasin shtetit.

Pas samitit online që liderët e G7-ës zhvilluan me pjesëmarrjen e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, mësohet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën sanksione të reja kundër Rusisë. Në një deklaratë nga Departamenti Amerikan i Thesarit thuhet:

Në listën e sanksioneve janë shtuar individë dhe institucione, të vlerësuar me rëndësi kritike në aspektin e aftësive luftarake të Rusisë.

Më tej, theksohet:

Në mesin e tyre janë përfshirë anëtarët e bordit drejtues të dy bankave më të rëndësishme të Rusisë, një bankë shtetërore ruse dhe 10 institucione të lidhura me të, një prodhues armësh i mbështetur nga shteti, si dhe tre kanale televizive nën kontrollin e shtetit.

Në kuadër të kësaj, sanksionet janë zbatuar ndaj tetë anëtarëve të bordit të “Sberbank”, një prej bankave më të mëdha të Rusisë si dhe 27 anëtarëve të bordit drejtues të “Gazprombank”, një prej bankave më të rëndësishme të Rusisë.

Sanksione do të zbatohen edhe ndaj Bankës Industriale të Moskës, në pronësi shtetërore dhe 10 filialeve të saj. Në listën e sanksioneve është përfshirë edhe “Promtekhnologiya”, kompania e mbrojtjes e cila ofron furnizime për shërbimet ushtarake dhe inteligjencës ruse.

Informacioni jepet në deklaratën, në të cilën bëhet e ditur se në listën e sanksioneve janë shtuar edhe tre kanale televizive të Rusisë.
Gjithashtu, janë ndërmarrë veprime për të ndërprerë qasjen në shërbimet që përdoren nga Rusia dhe elita ruse për të shmangur sanksionet e ndalohet që amerikanët të ofrojnë shërbime kontabiliteti dhe konsulence për rusët. Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen tha se do të kufizojnë edhe më shumë qasjen në shërbimet dhe teknologjinë që Rusia ka nevojë për ekonominë e saj e për të realizuar sulmet e vazhdueshme kundër Ukrainës, në kuadër të luftës së nisur më 24 shkurt.