Bota

Amerika në alarm nga dërgimi i raketave iraniane në Rusi!

Furnizimi i Rusisë me raketa balistike iraniane do të shkaktonte përshkallëzim të fortë të luftës në Ukrainë. Alarmin e japin Shtetet e Bashkuara të Amerikës në një reagim pas raportimeve se Irani dhe Rusia e kanë thelluar bashkëpunimin për transferimin e armëve të tilla. Zëdhënësi i Këshillit për Sigurinë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Sean Savett, tha se Shtetet e Bashkuara janë të alarmuara nga këto raportime.

Çdo transferim i raketave balistike iraniane në Rusi do të përbënte përshkallëzim dramatik në mbështetjen e Iranit për luftën agresore të Rusisë kundër Ukrainës.

Reuters raportoi në muajin gusht se Rusia po e pret një dërgesë me qindra raketa balistike me rreze të shkurtra veprimi, Fath-360. Wall Street Journal shkroi dje se raketat me rreze të shkurtra veprimi janë dërguar në Rusi nga Republika Islamike.

Vizita e fundit në Teheran e sekretarit të Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Sergei Shoigu, i cili më parë ka qenë ministër i Mbrojtjes i Rusisë, po nxit thashethemet se Moska po kërkon të marrë raketa nga Irani. Që prej muajve të parë të luftës në Ukrainë, dyshohet se Rusia ka përdorur dronët Shahed e Mohajer-6 të prodhuar nga Irani, shumë prej të cilëve janë gjetur pasi u rrëzuan në qytetet dhe fushëbetejat ukrainase.

Fillimisht, Irani e pati mohuar se po armatoste Rusinë. Por, u dorëzua dhe pranoi se ka çuar “një numër të kufizuar dronësh” në Moskë përpara luftës. Me të gjitha dëshmitë e mëdha, Teherani vazhdon të mohojë se dronët e tij po përdoren nga Rusia kundër Ukrainës. Kjo nuk i ka ndaluar Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian që të vendosin sanksione ndaj Iranit për mbështetjen e Moskës.

“Nëse rregullat e së drejtës ndërkombëtare do të dështojnë, atëherë do të kemi një shumëfishim të krizave dhe kaosit në botë”, deklaroi sot kryeministrja italiane, Giorgia Meloni në kuadër të Forumit TEHA, që po zhvillohet në qytetin italian të Cernobbios.

Këtë ua thashë edhe homologëve kinezë. E vetmja gjë që nuk mund të bëhet është të braktisësh Ukrainën në fatin e saj. Kjo është zgjedhja që po bën Italia e nuk do të ndryshojë. Unë kurrë nuk kam ndryshuar mendje për Ukrainën dhe Italia njihet për qëndrime serioze.

Unë mendoj se ne nuk duhet të dorëzohemi dhe nuk duhet ta lëmë Ukrainën në fatin e saj sepse kjo do të sjellë kaos e jo paqe. Dhe unë nuk e bëj këtë. Me Zelensky-n diskutuam si të vazhdojmë të punojmë për të arritur një paqe të drejtë.