Bota

Amerika numëron votat, Koreja e Veriut hedh raketën e radhës!

Koreja e Veriut lëshoi sot një raketë balistike, pasi më herët këtë muaj, Pheniani theu rekord sa i përket numrit të raketave të hedhura. Testi i sotëm, fillimisht i konfirmuar nga Seuli zyrtar vjen në kohën kur në Shtetet e Bashkuara po numërohen votat për zgjedhjet e mesmandatit, përkatësisht për kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit.

Më herët, Agjencia e Inteligjencës në kryeqytetin e Koresë së Jugut kishte paralajmëruar se gjatë zgjedhjeve amerikane, lideri komunist, Kim Jong Un, mund të shkonte më tej, duke kryer test bërthamor.

Ushtria koreano-jugore njoftoi se “ka detektuar lëshimin e një rakete balistike me rreze të mesme veprimi nga Koreja e Veriut drejt Detit Lindor”. Sipas Koresë së Jugut, raketa u lëshua nga provinca e Pionganit Jugor të Koresë së Veriut, rreth orës 15:31 me atë lokale.

Duke forcuar vëzhgimin dhe vigjilencën, ushtria e Koresë së Jugut është e përgatitur plotësisht, teksa po bashkëpunon ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Japonia po ashtu konfirmoi lëshimin e raketës nga Veriu. Më herët gjatë këtij muaji, vendi komunist kreu një sërë testesh, përfshirë lëshimin e një rakete balistike ndërkontinentale. Pheniani lançoi një raketë balistike me rreze të gjatë veprimi, që ka kaluar kufirin de-fakto detar të Koresë së Jugut. Në rreth 70 vjet, kjo ishte hera e parë që Koreja e Veriut lëshoi raketë në Jug, që nga përfundimi i Luftës Koreane në vitin 1953.