Rajoni

Amerika përkrah anëtarësimin e Kosovës në Partneritetin për Paqe!

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin anëtarësimin e Kosovës në programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s, por rikujtojnë se për një vendim të tillë kërkohet pajtimi i të 30 vendeve anëtare të Aleancës Veri-Atlantnike. Mbështetjen amerikane për Kosovën dhe aspiratat e vendit në këtë drejtim e ka shprehur zëdhënësi i misionit të Uashingtonit në NATO, Jeffrey Adler. Në një përgjigje me shkrim dhënë Radios Evropa e Lirë, Adler thekson:

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin anëtarësimin e Kosovës në institucionet europiane dhe euroatlantike, përfshirë hyrjen në Partneritetin për Paqe të NATO-s.

Po ashtu, Jeffrey Adler rikujtoi se “merren në mënyrë konsensuale të gjitha vendimet e Aleancës, ku nuk bën përjashtim Partneriteti për Paqe”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se “Kosova do të kërkojë që të bëhet pjesë e programit të Partneritetit për Paqe”.
Nga 30 vende anëtare të NATO-s, Kosovën si shtet të pavarur e kanë njohur 26 prej tyre ndërsa katër që janë Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja, ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Ndërkohë, mosnjohja nga katër vendet anëtare mund të jetë pengesë politike për anëtarësimin e Kosovës në Partneritetin për Paqe. Një gjë e tillë u vu në dukje nga një burim i NATO-s javën e kaluar, duke rikujtuar gjithashtu parimin e miratimit të vendimeve me konsensusin e të gjitha shteteve anëtare.

Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë hapa në këtë drejtim duke formuar edhe një grup punues për anëtarësimin në Partneritetin për Paqe. Partneriteti për Paqe është një program i NATO-s, që synon krijimin e besimit mes shteteve anëtare të Aleancës dhe po ashtu, të tjera vendeve në Europë.

NATO nuk e ka mbështetur zyrtarisht as transformimin e Forcës të Sigurisë së Kosovës, FSK në ushtri, ndonëse ky hap përkrahet nga shumë shtete anëtare. Nga aspekti politik, Aleanca vazhdon të mbështesë normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit, përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Procesin e dialogut, e konsideron “zgjidhjen e vetme të qëndrueshme për të dyja palët dhe gjithë rajonin”.