Rajoni

Amerika rikthekson kërkesën për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve Kosovë-Serbi!

Nga Kosova dhe Serbia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura gjatë negociatave të mëparshme, përfshirë formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”. Kjo u theksua nga Departamenti amerikan i Shtetit për Zërin e Amerikës. Më 18 mars, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian dhe me mbështetjen e SHBA-ve, Kurti e Vuçiç arritën në Maqedoninë e Veriut një marrëveshje për zbatimin e propozimit europian mbi normalizimin e marrëdhënieve.

Nga të dyja palët, SHBA-të dhe BE-ja presin të përmbushin detyrimet e tyre e të zbatojnë marrëveshjet e mëparshme nga dialogu, përfshirë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, siç konfirmuan se do të bëjnë dy udhëheqësit në takimin e 18 marsit në Ohër.

DASH-i thekson se në mënyrë aktive, Amerika mbetet e angazhuar në mbështetjen e Kosovës dhe Serbisë në zbatimin e marrëveshjeve.

Ne jemi të përqendruar në zbatimin e Marrëveshjes për Normalizimin e Marrëdhënieve mes dy vendeve, që t’i ndihmojmë të zhvillojnë marrëdhënie më paqësore e më të parashikueshme si fqinj, gjë që do të mundësonte stabilitet, siguri e prosperitet më të madh në rajon.

Dje, Bashkimi Europian formoi një Komision të Përbashkët për mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjes së arritur nga udhëheqësve të Kosovës e të Serbisë, në takimin e tyre në Ohër.

Siç u bë e ditur nga Brukseli, Komisioni do të kryesohet nga përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për Dialogun, Mirosllav Lajçak. Kosova do të përfaqësohet nga ambasadori i saj në Belgjikë, Agron Bajrami, ndërsa Serbia nga kryenegociatori, Petar Petkoviç. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano:

Detyra e Komisionit të Përbashkët është të mbikëqyrë zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë dhe aneksin e saj.

Formimi i Komisionit të Përbashkët përfshihet në aneksin e zbatimit të marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve. Kurti e Vuçiç ranë dakord për tekstin e dokumentit në një takim të zhvilluar më 27 shkurt në Bruksel, ndërsa në bisedimet në Ohër arritën dakordësi për aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje. Megjithatë, nuk nënshkruan gjë.