Shtëpia e Bardhë u shpreh “thellësisht e shqetësuar” nga një sulm ajror izraelit në një shkollë në qytetin e Gazës ku sipas zyrtarëve të mbrojtjes civile u vranë rreth 100 vetë dje. Sulmi u dënua nga shumë shtete arabe, si dhe nga Turqia, Britania e kryediplomati i Bashkimit Europian, Josep Borrell. Në shkollë janë strehuar mijëra palestinezë, të zhvendosur nga shtëpitë e tyre.
Shërbimi i Gazës për Emergjenca Civile që disponon të dhëna të besueshme për numrin e viktimave u shpreh se rreth 100 persona janë vrarë si pasojë e sulmit të një dite më parë. Izraeli njoftoi se rreth 20 militantë të Hamasit po vepronin në atë objekt.
Hamasi, grupi palestinez që udhëheq Gazën është shpallur “terrorist” prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian. Në disa video të publikuara në rrjetet sociale u panë trupa të gjymtuar nën rrënoja.
Zv.presidentja Kamala Harris, njëherazi kandidate e demokratëve në garën presidenciale bëri thirrje për armëpushim në Gaza.
Edhe një herë, shumë civilë të vrarë.
Përmes një deklarate, Shtëpia e Bardhë vuri në dukje se Uashingtoni është në kontakt me Izraelin për të marrë më shumë informacione.
Ne jemi thellësisht të shqetësuar rreth raportimeve për viktima civile në Gaza, pas një sulmi të forcave izraelite të mbrojtjes në një objekt ku ka qenë shkolla.
Uashingtoni është përballur me kritika në rritje, përfshirë ato prej grupeve për të drejtat e njeriut, për mbështetjen ushtarake ndaj Izraelit.
Sulmi ajror i ndodhi pasi një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit u shpreh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i ndajnë Izraelit 3.5 miliardë dollarë për t’i shpenzuar në armë amerikane, si dhe në pajisje ushtarake.
Ne e dimë që Hamasi i ka përdorur shkollat si vende për t’u mbledhur dhe riorganizuar, por ne kemi thënë vazhdimisht që Izraeli duhet të marrë masa për të minimizuar dëmin te civilët, vuri në dukje Shtëpia e Bardhë.
Janë me qindra e mijëra palestinezë të zhvendosur e që qëndrojnë të strehuar nëpër shkolla të Gazës, shumica e të cilave janë mbyllur që prej nisjes së luftës tashmë 10-mujore me Izraelin e sulmuar nga militantët më 7 tetor të vitit të kaluar.