Bota

Amerika thirrje Koresë së Veriut t’i kthehet dialogut!

“Testimet e fundit të raketave nga Koreja e Veriut janë provokime “serioze dhe të paligjshme”. Kështu deklaruan sot zyrtarë nga Shtetet e Bashkuara, Koreja e Jugut dhe Japonia, duke i bërë thirrje Phenianit që t’i kthehet dialogut e të pranojë ofertën për ndihmë për koronavirusin.

Nënsekretarja amerikane e Shtetit, Wendy Sherman, zëvendësministri i Jashtëm i Koresë së Jugut, Cho Hyun-dong dhe zëvendësministri i Jashtëm japonez, Takeo Mori u mblodhën në Seul, tre ditë pasi Koreja e Veriut kreu një seri testesh të raketave. Në të parin takim që nga nëntori, shprehën shqetësimin për intensifikimin e testimeve.

Seuli dhe Uashingtoni paralajmërojnë se “Koreja e Veriut është e gatshme të kryejë testimin e parë bërthamor që prej vitit 2017” ndërsa Sherman deklaroi se “një gjë e tillë do të pasohej me një kundërpërgjigje të fortë dhe të qartë”. Në deklaratën e përbashkët, zyrtarët e SHBA-ve, Koresë së Jugut e Japonisë i kërkuan Phenianit që të respektojë sanksionet ndërkombëtare e të shmangë veprimet që mund të përshkallëzojnë tensionet apo të destabilizojnë rajonin.

Po ashtu, të tre vendet u zotuan se do të rrisin bashkëpunimin e sigurisë për të adresuar kërcënimet e Koresë së Veriut. Zyrtarët shprehën qëndrimin se rruga për një dialog serioz dhe të qëndrueshëm mbetet e hapur e apeluan që Koreja e Veriut t’i kthehet negociatave, me shpresën se Pheniani do t’i përgjigjet pozitivisht ofertave për ndihmë ndërkombëtare për të luftuar pandeminë COVID-19.

Koreja e Veriut ka kryer të paktën 18 raunde të testeve të armëve gjatë këtij viti, duke shfaqur zhvillimin e arsenalit të raketave bërthamore. Në testimin e fundit, vendi komunist lëshoi tetë raketa balistike me rreze të mesme veprimi, një ditë pasi Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara përfunduan stërvitjet e përbashkëta ushtarake. Në fillim javë, këto dy shtete nuk qëndruan indiferente dhe lëshuan tetë raketa tokë-tokë si paralajmërim për Korenë komuniste.